DRILON HAJRIZI
Me Bamforthin, më të kompletuar
17 September, 2016 @13:28
Njëri prej basketbollistëve kryesor te përfaqësuesja e Kosovës, Drilon Hajrizi, i ka komentuar ndryshimet e fundit në skuadër.
Përfaqësuesja sot do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në kualifikimet për Eurobasket, ku do të kërkojë fitoren e parë në përballje me Bullgarinë, ndërsa kjo do të jetë ndeshja e parë e ekipit pa yllin kryesor, amerikanin Justin Doellman.
Doellman është larguar nga përfaqësuesja për t’iu bashkuar skuadrës së tij, Barcelonës, ndërsa në vend të tij në përbërje do të jetë organizatori amerikan, Scott Bamforth.
Kjo lëvizje është pëlqyer nga Hajrizi, i cili beson se me këtë përbërje skuadra është më e kompletuar.
“Definitivisht njëra ndër mungesat më të mëdha që e kemi pasur ka qenë ajo e plejmejkerit, e cila do të plotësohet me Scottin. Me të do të jemi më të kompletuar dhe besoj se loja jonë do të përmirësohet më shumë. Doellmani është mungesë e madhe, por pozitën e tij mund ta mbulojmë,” tha Hajrizi për gazetën Koha Ditore.
Më tej, ai foli edhe për ndeshjen kundër bullgarëve, duke shpresuar në fitoren e parë historike.
“Ne do të futemi për të luajtur një lojë të mirë dhe natyrisht për të regjistruar fitore, e cila do të jetë historike për basketbollin tonë. Angazhimi nuk do të mungojë dhe shpresoj që fati të jetë në anën tonë për ta shijuar fitoren e parë,” tha ai.