Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DREJT REALIZIMIT

EURO-U21 në Shqipëri e Serbi

Foto: FSHF

EURO-U21 në Shqipëri e Serbi


4 February, 2025 @15:23

Shqipëria bashkë me Serbinë kanë fituar organizimin e Kampionatit Evropian për grupmoshat nën 21-vjeçare në futboll. UEFA-ja ka bërë të ditur sot se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj ka vendosur për nikoqirët e EURO-U21 të vitit 2027.

Vendimi i UEFA-së u morr pasi që Belgjika dhe Turqia u zbrapsën nga kandidatura e tyre e përbashkët kohë më parë, dhe tashmë pritej vetëm zyrtarizimi i Shqipërisë dhe Serbisë si organizatore. Dyshja fituese, ishte në fakt edhe kandidatura e vetme me letër në tavolinë!

Turneu do të përbëhet nga 16 shtete pjesëmarrëse, prej të cilave tashmë të kualifikuara do të jenë edhe Shqipëria U-21 dhe Serbia U-21. Ndeshjet do të luhen në katër qytete të Shqipërisë (Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë) dhe katër qytete të Serbisë (Novi Sad, Lloznicë, Lleskovac dhe Zajeçar).

Ndeshja hapëse e EUROs do të luhet në “Karadjordje” të Novi Sadit, kurse finalja e turneut do të zhvillohet në “Arena Kombëtare” të Tiranës. Kjo është hera e parë në histori të UEFA-së që turneun final të EURO U-21 ia jep në organizim Shqipërisë dhe Serbisë.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka thënë se ky është vendim shumë i rëndësishëm i UEFA-së dhe se ky turne do të jetë më shumë se futboll! Ai është vetë pjesë e KE-së së UEFA-së që mori vendimin sot!

“Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë,” ka thënë Duka, bëri të ditur FSHF-ja në njoftim.

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.

“Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”. - ishin fjalët e Dukës.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i FSS-së Branko Radujko gjithashtu ka theksuar se ky turne është më shumë se një turne futbolli! Por, ai asnjëherë në deklaratën zyrtare të lëshuar në FSS nuk ka thënë asgjë për marrëdhëniet midis dy popujve!

“Ky është turneu më i madh në histori të Serbisë. Ngjarje që do të tregojë se çka përfitohet kur njerëzit punojnë për qëllim të përbashkët. Si i tillë, turneu është katapult për përparim të stadiumeve dhe objekteve tjera të futbollit përgjatë gjithë vendit tonë, me përkrahje të UEFA-së. Me këtë shpresojmë që kjo ngjarje të na mundësojë që të marrim edhe një finale të madhe të garave ekipore evropiane,” ka thënë Radujko, shkruan FSS.

Shqipëria për këtë EURO-U21 do të shkojë me ekipin timonier i të cilit është Alban Bushi, me të cilën vazhduan kontratën në vitin e kaluar. Ndërkaq Serbia do të drejtohet nga Aleksandar Kolarov. Për Shqipërinë U-21 ky do të jetë turneu i parë final i EURO U-21 ku do të marrin pjesë. Asnjëherë më parë shpresat kuqezi nuk kanë arritur të kualifikohen nga garat e rregullta kualifikuese për turneun final të U-21’sheve.


Vendimi për bashkorganizimin e Shqipërisë dhe Serbisë ka patur reagime të mëdha nga qarqa të ndryshme në shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ndërkaq në Serbi, kjo gjë përgjithësisht është mbajtur më heshtur. Edhe sot gjatë transmetimit të lajmit, vetëm brenda artikujve në disa media vërehej bashkorganizimi me Shqipërinë, derisa kryesisht titujt tregonin se Serbia fiton organizim e EURO-U21.

Më 14 tetor të vitit 2014 Serbia kishte pritur Shqipërinë në garat kualifikuese për në EURO 2016. Loja ishte ndërprerë pasi që futbollistët kishin nisur grindjen, ndërsa më pas edhe tifozët kishin hyrë në stadium për të qeruar hesapet me lojtarët e Shqipërisë. Krejt kësaj i kishin paraprirë thirrjet ksenofobe ndaj shqiptarëve të tifozërisë në stadiumin “Partizan” të Beogradit, që u pasuan pastaj nga një dron që solli një “flamur” që tërboi të pranishmit në stadium.


 
Të gjitha lajmet nga Evropiani