KASTRIOTI
Merovci e Binxhija në Kastriot
11 September, 2013 @1:56
Skuadra e cila po synon të luaj në ETC Superligë këtë stinor, Kastrioti, ka filluar t’i bëjë përforcimet e para.
Ekipi nga Ferizaji është përforcuar me alo qendrën, Mustafë Merovcin dhe plejmekerin, Hekuran Binxhijën.
Merovci stinorin e fundit ka qenë i huazuar te Bashkimi nga Sigal Prishtina. Ai ka qenë njëri ndër më meritorët që skuadra prizrenase përfundoi pjesën e rregullt të stinorit në pozitën e tretë.
Kurse Binxhija, i cili ka qenë njëri ndër organizatorët e Sigal Prishtinës, ka arritur ta fitoj Kupën e Kosovës me këtë skuadër.
Basketbollistët në fjalë veç se kanë filluar të stërviten me ekipin ferizajas, ka konfirmuar ish lojtari i Bashkimit, Merovci.
Ndër tjerash, sipas burimeve të Borozani.com, mësohet se edhe një tjetër ish basketbollist i Sigal Prishtinës, Besnik Podvorica, është në bisedime me Kastriotin dhe shumë shpejtë pritet edhe zyrtarizimi i marrëveshjes së tij.
Superliga me Kastriotin!
Të kujtojmë se KB Kastrioti, i cili garon në Ligën e Parë të basketbollit kosovar, ka parashtruar kërkesë te Federata e Basketbollit të Kosovës për të marrë pjesë në ETC Superligë për stinorin 2013/14. Bordi i FBK-së në mbledhjen e fundit kishte miratuar kërkesën e Kastritoti me kusht që ekipi ferizajas duhet të depozitonte në llogari të FBK-së shumën prej 5000 eurosh në formë garancie (shumë kjo që do t’i kthehet klubit pas përfundimit të stinorit 2013-14) dhe dorëzimit të informatave për buxhetin potencial, strukturën organizative të klubit dhe fondin e lojtarëve.
Këto kushte Kastrioti duhet që t’i paraqet në FBK deri më 13 shtator, e më pas do të merret edhe vendimi përfundimtar i FBK-së për fatin e KB Kastriotit nëse do të luajë në Superligë apo jo.
Megjithatë, lëvizjet e fundit në transferime të ekipit ferizajas tregojnë se kjo punë tashmë është e kryer.