BRAD GREENBERG
Mësim për lojtarët
26 February, 2018 @22:51
Selektori i Kosovës, Brad Greenberg, në prononcimin e tij pas ndeshjes Lituania-Kosova ndër të tjera ka thënë se, ky duel ka qenë edhe mësim për lojtarët e Kosovës për të parë se si luhet në një nivel të tillë basketbolli.
“Uroj Lituaninë së pari për fitore. Ndeshja ka qenë mësim për lojtarët tanë. Kjo lojë ka treguar se si duhet të luash nëse dëshiron të fitosh në nivel të tillë ndeshjesh,” ka thënë fillimisht Greenberg.
“Ne po bëjmë hapat e para si ekip, duke qenë në mesin e 32 ekipeve më të mira të kontinentit. Kemi shumë rrugë përpara. Të mos harrojmë, sonte kemi qenë pa dy fundorët më të mirë të ekipit (Dardan Berisha dhe Scott Bamforth v.j.). Me këta dy, në nëntor, ndaj të njejtit ekip, ne në çerekun e tretë kemi qenë vetëm tre pikë prapa Lituanisë. Në anën tjetër, sonte Lituania ka bërë çka ka dashur, ka provuar gjithçka dhe thuajse të gjitha i ka arritur,” kanë qenë fjalët e Greenbergut.
Kosova tash pas katër dueleve të para në Grupin C ka regjistruar katër humbje dhe është e fundit në grup, pas Lituanisë, Polonisë dhe Hungarisë.
Në dy duelet e fundit, Kosova do të luajë si vendase ndaj Hungarisë dhe Polonisë. Më 28 qershor ndaj hungarezëve, ndërsa më 1 korrik ndaj polakëve.