LITUANIA-KOSOVA
Humbja më e thellë
26 February, 2018 @19:44
Përfaqësuesja e Kosovës është mposhtur edhe në ndeshjen e katërt me radhë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, Kina 2019.
Lideri i pamposhtur i grupit dhe favoriti, Lituania, ka fituar lehtë ndeshjen ndaj Kosovës që ka rivalizuar kundërshtarin vetëm në minutat e para, derisa rebeshi i tresheve të vendasve nuk ka pasur të ndalur derisa epërsia u bë dyshifrore.
28-19 përfundoi çereku i parë, ndërsa në të dytën Lituania aplikoi mbrojtje më të fortë, për 20-8, që çoi në pushim, 48-27.
Më pas lituanezët vazhduan duke ngritur epërsinë, ndërsa në çerekun e tretë rivalizimi ishte pak më i madh i Kosovës, ku më i dalluari ka qenë amerikani Shawn Jones.
Jones ka qenë lojtari i vetëm që ka shënuar pikë dyshifrore në ekip (23 pikë, 6 kërcime). Ai ka qenë edhe i vetmi që i rivalizonte lituanezëve në disa pozita, derisa basketbollistët tjerë nuk i janë afruar as dhjetë pikëve, pasi që shenjat e mira që i ipte Erjon Kastrati, u bllokuan tërësisht nga lituanezët.
Përndryshe, kjo ishte ndeshja e parë që Kosova i pranoi mbi 100 pikë, ndërsa shënoi më së paku në ndeshjet e grupit, 50. Në fund, 106-50.
Pas Jonesit, te Kosova më efikasi ka qenë Gëzim Morina me 8 pikë të shënuara e dy kërcime, ndërsa Kastrati u ndal në 7 pikë e tre kërcime.
Kjo ka qenë ndeshja e parë e Kosovës në këtë cikël kualifikues pa kapitenin Dardan Berisha, që u lëndua ndaj Polonisë ditë më parë. Ndërsa në gjendje jo të mirë shëndetësore e fizike kanë qenë edhe Lis Shohi (me maskë, pas lëndimit të hundës), Gëzim Morina (me temperaturë 38 shkallë).
Te ekipi fitues sonte, që ka bërë show për adhuruesit e vet, Eimantas Bendzius, ka shutuar 6/6 për tre pikë, duke përfunduar ndeshjen me 22 pikë të shënuara.
Rokas Giedraitis ka shtuar 18 pikë të tjera, prej të cilave tre treshe, ndërsa Martynas Echodas ka dhënë 12 pikë tjera.
Lituania me fitore ndaj Kosovës dhe me humbjen e Polonisë nga Hungaria në ndeshjen tjetër të grupit, ka siguruar edhe matematikisht fazën tjetër kualifikuese për Botërorin Kina 2019.