HUNGARIA-POLONIA
Hungaria mposht Poloninë, për të shuar gjasat e Kosovës
26 February, 2018 @21:45
Në duelin tjetër të Grupit C kualifikues për Botëror, ku bën pjesë Kosova, Hungaria pak më parë ka mposhtur Poloninë për të shënuar fitoren e dytë në këtë grup dhe në një mënyrë për të shuar gjasat e Kosovës për kualifikim në fazën e radhës drejt Botërorit, Kina 2019.
Hungaria, që nuk kishte ndihmën e lojtarit më të mirë të tyre, Adam Hanga, ka mposhtur Poloninë, 64-57, pas një loje të mirë në çerekun e tretë.
Polakët, edhepse në çerekun e fundit ndalën hungarezët në tetë pikë, nuk arritën të shënojnë më shumë se 13 sosh për të vazhduar me fitore dhe kështu regjistruan humbjen e dytë në Grupin C.
SHIKO: TABELA AKTUALE E GRUPEVE KUALIFIKUESE
Zoltan Perl dhe Darrin Govens kanë treguar performancë të lartë për Hungarinë në këtë përballje. Perl ka shënuar 16 pikë, 3 asistime e 4 kërcime, derisa Govens i natyralizuar ka shtuar 15 pikë, 2 kërcime e 2 topa të vjedhur në fitore.
Te Polonia, 20 pikët e Marcel Ponitkas nuk kanë dalë të bollshme për të shkuar te fitorja e radhës për ekipin.
Fitorja e Hungarisë ndaj Polonisë tashmë shuajnë thuajse tërësisht gjasat e Kosovës për kualifikim në fazën e radhës për Kina 2019, pasi që përveç që duhet mposhtur Hungarinë dhe Poloninë në qershor, duhet të ketë edhe koshadallim më të mirë - që shikuar nga ndeshjet e këtij muaji - duket e pamundur.
Pas ndeshjeve të muajit shkurt, Lituania me fitoren e sotme ndaj Kosovës dhe humbjen e Polonisë ka garantuar fazën e radhës me bilanc 4-0, dy ndeshje pa përfunduar faza grupore.
Ndërsa Polonia e Hungaria me bilanc 2-2, janë gati në fazën tjetër, pasi që tashmë vetëm duhet të kujdesen për të mos u mposhtur thellë në përballjet e fundit.
SHIKO: DUELET E FUNDIT NË GRUP