OPINION
Mjerimi i basketbollit ekipor
Shkruan: BLERIM MYFTIU
4 October, 2017 @22:18
Kampionati i radhës në basketboll i Kosovës filloi gjatë kësaj mesjave. Me sa më kujtohet, stinorët e viteve të fundit asnjëherë nuk filluan në datat e paralajmëruara, por gjithmonë me shtyrje (natyrisht me kërkesë të klubeve) për atë apo këtë arsye, por kryesisht për shkak të vonesës së pagimit të kuotizimit apo moskompletimit të ekipit. Kështu ndodhi edhe këtë herë dhe për këtë, “derbi” i paralajmëruar (i cili nuk e meritoi këtë epitet) ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit u luajt në mes të javës, jo në fundjavë, kur mbase do të mund të tërhiqte ndoshta pak më tepër shikues.
PLANI VEROR
Stinorët e basketbollit përfundojnë zakonisht në qershor. Korriku është në shumicën e rasteve kohë pushimi për klubet. Në dy vitet e fundit, për shkak të pjesëmarrjes së përfaqësueses sonë në eliminatore, u gjallërua interesimi për basketboll edhe në Kosovë gjatë verës. Në shtator luhen kampionatet në nivel kombëtaresh dhe tetori është muaji i fillimit të emocionit të ri. Klubet verën e shfrytëzojnë për planifikim, formim ekipi, komponim. Por, në Kosovë nuk ndodh kështu.
GJUMI DIMËROR NË KORRIK
Ekipet tona në mes të verës zhyten në gjumë dimëror, zgjohen nga shtatori, fillon ngarendja drejt sponsorëve dhe zyrave të Komunave, gjenden disa para andej-këndej, regjistrohen 4-5 amerikanë, malazezë, kroatë apo maqedonas, angazhohet ndonjë trajner i lirë në treg (medoemos i huaj) dhe fillohet disi sezoni. Pas eliminimeve që vijnë gjatë vjeshtës në kupat ballkanike apo evropiane (rishtas), të huajt e humbin interesimin, gjejnë ndonjë klub në Rumani, Qipro apo Lindje të Mesme, trajnerët ikin dhe playoffi na përcjell me Ilir Selmanin “rezervë” në stolin e Trepçës apo Bujar Locin “rezervë” në stolin e Pejës apo Edin Kërveshin “rezervë” në stolin e Bashkimit. Shto kësaj pagesat e papaguara të huajve, paditë në FIBA dhe BAT-in! Nga ky përgjithësim, Prishtina bën përjashtim.
ALARMI
Sivjet, gjendja paraqitet edhe më alarmante, ngase Peja dhe Trepça, që në atë apo këtë mënyrë formonin disi ekip në tetor, me gjasë do të paraqiten me juniorë. Bashkimi, që paralajmërohej si ekipi më i denjë për t’i bërë ballë Prishtinës, u demolua nga kjo e fundit me 35 pikë dallim!!! Prandaj, stinori 2017/18 me gjasë do të jetë më monotoni dhe më i pabarabarti në vitet e fundit, me Prishtinën që duket se e ka rezervuar titullin e ri.
GARAT EVROPIANE
Shpëtimi nuk duket në horizont. Me sa po shihet, asnjë prej klubeve tona nuk ka arritur që gjatë këtyre viteve të vendos një sistemi të mirëfilltë të grupmoshave të reja. Po të pohohet e kundërta, atëherë duhet pyetur ku janë lojtarët? Ngase, me përjashtim të 2-3 lojtarëve (dhe për të cilët meritat nuk i kemi vetë ne), vështirë se ata që i kemi në qarkullim mund të jenë mbajtës të lojës në ndonjë organizim serioz basketbollistik, siç u pa në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, e cila mund të themi lirisht se është rangu i tretë i garave në nivel të Evropës. Vjet, as në FIBA Europa Cup (rangu i katërt) dhe Ligën Ballkanike (rangu i pestë apo i gjashtë) nuk mund të thuhet se shkëlqyem. Kështu që po të fillohet të organizohet tani diçka, por seriozisht, mbase pas 10 vitesh do të kemi një ligë cilësore dhe lojtarë më cilësorë.
PËRFAQËSUESJA
Emocioni i vetëm i basketbollit vendor do të jetë përfaqësuesja jonë, e cila nëse ndërkohë nuk ndryshon diçka, gjatë nëntorit dhe shkurtit të vitit të ardhshëm do të luajë 4 ndeshje në rrugën drejt Kinës.