KRIZA
Peja e Trepça, me ‘vullnetarë’
4 October, 2017 @9:57
Dy skudrat e katërshes së madhe të basketbollit të Kosovës, Peja dhe Trepça, pritet të nisin stinorin e Superligës me lojtarë të mbetur në skuadër, edhe juniorë, që nuk pritet të paguhen fare, për shkak të krizës së madhe që i ka kapur skuadrat në fjalë, veçanërisht Pejën.
PEJA
Peja është në borxhe që shihen edhe në faqen zyrtare të FIBAs, ku i detyrohen lojtarëve e agjentëve nga stinorët e mëparshëm, ndërsa në faqen e FIBAs gjithashtu gjendet në listën e ekipeve të sanksionuara për regjistrimin e lojtarëve të ri në skuadër, si e vetmja skuadër nga Kosova. Pejës ndalesa i vlen prej datës 31 korrik 2017.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, kryetari i Pejës, Art Gashi, ka sqaruar situatën në klub, ndërsa ka thënë se është i gatshëm të largohet nga posti i tij, nëse vjen një person me projekt konkret dhe ka thënë se beson që KB Peja “verdhezi” nuk do të shuhet.
Por, në kushtet aktuale, vështirë se do të vjen një person që të merr klubin jo në ‘zero’, por në minus.
Basketbollistët po ushtrojnë individualisht, ndërsa ata që kanë pasur “fat”, kanë gjetur ekip të ri për stinorin e radhës 2017/18.
Peja ka nisur stërvitjet të hënën mbrëma (2 tetor) ka bërë të ditur Koha ditore në shkrimin e saj. Ekipin pritet ta drejtojë Bujar Loci me ndihmës Petrit Zeqiri.
Basketbollistët, që kanë qenë pjesë e ekipit në stinorin e kaluar dhe që janë së fundi ende pjesë e KB Peja, deri në fundjavën e kaluar nuk kanë ditur asgjë se si t’ia bëjnë në stinorin e ri. Lojtarët me përvojë të mbetur në skuadër, kërkojnë pagat.
TREPÇA
Sa i përket Trepçës, kriza ekziston edhe aty, por pak më e butë se te Peja. Pas insistimit për të qenë pjesë e ligës ballkanike dhe vetëm një stinor pas rregullimit të palestrës “Minatori”, që u prit me aq shumë entuziazëm, ekipi mitrovicas është në kolaps ekonomik, ndërsa stërvitjet i ka nisur javën e kaluar për stinorin e ri.
Basketbollistët më të mirë vendorë dhe më me përvojë të Trepçës nga stniori i kaluar janë shpërndarë në ekipe tjera të Kosovës, si te Bashkimi e Ylli. Ekipi pritet të del në parket nesër pasdite me lojtarë të ri.
Derbi i famshëm Trepça-Peja, që në stinorët e fundit ka përcaktuar renditjen e pjesës së epërme të klasifikimit të Superligës dhe pjesë thuajse e përhershme e Play-Offit dhe Final Fourit të Kupës së Kosovës, tashmë zhvillohet për t’i ikur fundit të tabelës.
SHPRESA
Gjithsesi, ekipet në fjalë shpresojnë që brenda stinorit situata të përmirësohet në klub, sadopak qoftë ajo, ashtu që të ri-marrin veten.