GËZIM MORINA
Morina emocional: “Për Kosovën sot nuk ka humbje”
31 August, 2016 @14:49
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sot do ta zhvillojë ndeshjen e parë historike në kualifikimet për Eurobasket 2017.
Ajo do të luajë kundër njërës prej përfaqësueseve më të forta në Europë, Sllovenisë, e cila ka në përbërje Gëzim Morinën, basketbollistin kosovar që është rritur në Slloveni.
Kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në fillim të ndeshjes, Morina ka publikuar një shkrim emocional në llogarinë e tij në Facebook, ku është munduar të sqarojë situatën e vështirë në të cilën gjendet.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne. Sot shkruhet historia, ndeshja e parë zyrtare, në garat europiane për shtetin e Kosovën në basketboll. Ndeshje që fatkeqësisht unë nuk e përjetoj njëjtë si ju, e përjetoj nga një kënd tjetër, nga këndi i një tradhtari, të ashtuquajtur nga shumë nga ju, ngaqë sonte në vend që të jem me ju, unë jam kundër juve,” ka shkruar Morina fillimisht, i cili stinorin e kaluar luajti edhe për Sigal Prishtinën.
Ndër tjerash, ai ka thënë se ndeshja e sotme për Kosovën është fitore në vete, duke pasur parasysh izolimin shumëvjeçar që ka pasur deri më tani.
“Për Kosovën sot nuk ka humbje, vet kjo ndeshje është fitorja më e madhe që ka pasur ndonjëherë basketbolli i Kosovës.”
Gëzimi më parë ka qenë i kontaktuar edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës për t’iu bashkuar përfaqësueses kosovare, mirëpo ardhja e tij u pengua nga FIBA, e cila nuk lejoi që basketbollisti ta ndryshojë përfaqësuesen.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plot të Gëzim Morinës.