PARA STARTIT
Belegu: Emrat e juaj në histori
31 August, 2016 @11:58
Kreu i FBK-së, Erolld Belegu, i është drejtuar lojtarëve të reprezentacionit të Kosovës, që sot do të debutojë në kualifikime për Eurobasket 2017.
Në letër ai ka kërkuar edhe përkrahje për djelmoshat, emrat e të cilëve tani më janë pjesë e historisë së basketbollit të këtij vendi.
LETRA E PLOTË
“Sot është një ditë e veçantë për basketbollin, por edhe sportin e Kosovës në përgjithësi.
Sot, Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të filloj një epokë të re, do të zhvilloj ndeshjen e parë zyrtare në një garë zyrtare të FIBA-s që nga pranimi i FBK-së si anëtarë fuqiplotë.
Shorti ka përcaktuar që debutimin ta kemi në Slloveni me një kombëtare shumë të fortë, por heronjtë dalin në beteja të vështira!
Përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi ka mbledhur ekipin më të mirë të mundshëm që kemi pas në dispozicion. Aq më shumë, une them, edhe më të mirë se që ka qenë e mundur! Respekt të vecantë meriton kosovari më i ri Justin Doellman i cili si një lider i vërtet por edhe personalitet i jashtëzakonshëm pa asnje dilemë ka kontribuar në atmosferën e shkëlqyeshme që kemi ndërtuar!
Dardan Berisha, Edo Azemi, Drilon Hajrizi, Yll Kaçaniku, Jaren Sina, Granit e Fisnik Rugova, Gazmend Sinani, Samir Zekiqi, Mirza Ahmedbasic, Alban Veseli, Leonard Mekaj jane emrat që do të jenë të shkruar me shkronja të arta në historikun e basketbollit të Kosovës! Ata guxojnë, kanë fuqi, shpresojnë dhe besojnë që do të bëjnë historinë.
Me përkrahjen e të gjithëve edhe munden! Ju lus ti harrojmë zënkat e kryenecësit lokale dhe të gjithë të qëndrojmë të bashkuar! Të mbushim palestrën “Minatori” si asnjëherëmë parë.
Djelmoshat kanë nevojë për ju, për ne! Lojtarët duhet të luajnë si një.
Sot e në javët në vijim qëllimi juaj është Kosova.
Emri juaj është Kosova.
Dëshira juaj është Kosova!
Emri juaj tanimë është në histori, tash të gjitha duhet bërë për Kosovën!
Së bashku ne mund t’ja dalim.”
Sonte me fillim nga ora 20:00 Kosova zhvillon ndeshjen ndaj Sllovenisë në Ljubljanë.