KOMUNIKATA
Kosova, gati për debutim në kualifikime të Eurobasketit
Teksti: FBK
30 August, 2016 @15:04
Vetëm edhe një ditë na ndanë nga debutimi historik i Përfaqësueses A të Kosovës në kualifikimet për Eurobasket 2017, ndërsa Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që prezantimi i parë të jetë në nivelin e kërkuar.
Kosova ndeshjen e parë do ta luaj si mysafire në Ljubljanë kundër Sllovenisë të mërkurën me fillim nga ora 20:00 në kuadër të Grupit E të eliminatoreve për Kampionatin Evropian. Në këtë grup bëjnë gara edhe Ukraina dhe Bullgaria.
Përgatitjet për kualifikime Kombëtarja i ka filluar më 7 korrik nën udhëheqjen e përzgjedhësit Arben Krasniqi, i cili së pari ka startuar me grumbullimin e basketbollistëve vendorë, për tu bashkangjitur më pas edhe ylli i Barcelona-s, Justin Doellman.
Krahas grumbullimit në Prishtinë, Kosova i ka zhvilluar edhe 9 ndeshje miqësore, të cilat i kanë shërbyer përzgjedhësit Krasniqi për të testuar të gjithë lojtarët, por edhe për të komponuar sa më mirë skuadrën.
Tani që ka mbetur vetëm edhe një ditë deri te ndeshja e parë, drejtori i Kombëtares së Kosovës, Arben Fetahu ka thënë se:
“Federata e Basketbollit të Kosovës ka bërë çdo gjë në fuqinë e vet për t’u ofruar djelmoshave që po e përfaqësojnë Kosovën në këtë cikël kualifikues kushtet e nevojshme për punë dhe përgatitje të mirëfilltë për këtë paraqitje të parë në gara ndërkombëtare. Gjatë këtyre 54 ditëve çunat tanë kanë zhvilluar mbi pesëdhjetepesë stërvitje, në Prishtinë, Estoni, Itali e Qipro, dhe kanë pasur nëntë ndeshje testuese, në të cilat janë aktivizuar të gjithë dymbëdhjetë lojtarët që do ta përfaqësojnë vendin tonë.
Jemi me fat që lëndimet dhe telashet e vogla shëndetësore të cilat lojtarët i kanë pasur ndërkohë janë tejkaluar në masë të madhe dhe që ekipi ka ngritje të formës nga dita në ditë. Është inkurajuese për të gjithë ne udhëheqësit e ekipit përfaqësues, por edhe të basketbollit kosovar në përgjithësi, kur shohim kaq shumë sakrificë e mund që çdo ditë po bëhet nga djelmoshat tanë, të cilët stinorin e ri do ta fillojnë pa asnjë ditë pushimi. Sigurisht që do të kishim preferuar që shorti të mos ishte kaq i papërshtatshëm për ne, ngase do ta fillojmë këtë cikël me kundërshtarin më të fortë të grupit dhe një superfuqi të vërtetë basketbollistike – Slloveninë, por ajo që mund të përçoj tek të gjithë lexuesit si mesazh nga Përfaqësuesja jonë është se ne as në Lublanë, ku do të udhëtojmë sot, e në asnjë ndeshje tjetër nuk do të shkojmë me flamur të bardhë. Ne kemi arritur t’i grumbullojmë basketbollistët më të mirë të vendit që i kemi pasur në dispozicion dhe gjatë këtyre javëve kemi krijuar një atmosferë ekipore për lakmi. Aty edhe qëndron rasti jonë – në lojën ekipore, në luftën për çdo top dhe për shokun e skuadrës, dhe në qasjen e duhur në çdo ndeshje. Ajo që këtij ekipi i nevojitet tani është përkrahja dhe mobilizimi i tifozëve dhe përkrahësve, për të na shërbyer si lojtar i gjashtë në çdo ndeshje.”
Itinerari i ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll është mjaft i ngjeshur. Ekipi ynë do të udhëtojë sot për Slloveni, ku pas dy stërvitjesh sonte në mbrëmje dhe nesër në mengjes, në mbrëmjen e së mërkurës me fillim nga ora 20.00 (Supersport Kosova dhe RTV21) do të zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese kundër Sllovenisë në Stozhice të Lublanës.
Pas kthimit nga Sllovenia, të enjten, ekipi do të zhvendoset nga Prishtina në Mitrovicë, për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen e parë si vendase më të shtunën, më 3 shtator, kundër Ukrainës.