TREPÇA

BOROZANI/ Lis Dorambari
Na ishte njëherë një kampion!
26 April, 2013 @11:14
Skuadra e cila ishte e pakonkurencë në palestrat e basketbollit kosovar, sot e ka një pamje krejtësisht tjetër. Fjala është për Trepçën, kampionin dhe fituesin e Kupës të stinorit të kaluar.
Xehetarët me humbjen e djeshme ndaj Sigal Prishtinës në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, e përmbyllën herët stinorin e sivjetëm.
Ekipi mitrovicas së pari nuk arriti ta mbrojë titullin e kampionit pasi që edicionin e rregullt e përfundoi në pozitën e pestë, duke mbetur jashtë Play Off-it, ndërsa më pas u eliminua edhe nga Kupa e Kosovës.
Çka ndryshoi nga viti i kaluar?
Kjo rënie e madhe që pësoi Trepça në këtë stinor ka shumë arsye, ku si arsye e parë renditet mungesa e palestrës, pasi që palestra Minatori ishte jofunksionale gjatë gjithë stinorit për shkak të renovimit.
Duke krahasuar përbërjen e lojtarëve nga viti i kaluar, shohim se nuk ka edhe shumë ndryshime. Drilon Hajrizi ishte dhe mbetet ende lider i ekipit. Valdrin Haxhiu, Fikret Handzic, Gazmend Asllani, Besnik Azemi, Imer Tahiri dhe disa të tjerë ishin ata të cilët e shpallën kampion Trepçën.
Mungesa më e madhe në përbërje të lojtarëve nga viti i kaluar mund të vlerësohet amerikani Jaleel Nelson. Ai ka qenë një armë e fortë për Trepçës, gjë që tani i mungon kësaj skuadre.
Pse Nelsoni?
Nelsoni vitin e kaluar ishte që nga fillimi i stinorit pjesë e Trepçës, duke e lejuar atë të komponohet plotësisht deri në fazën finale të stinorit.
Ndryshe nga viti i kaluar, minatorët sivjet i provuan më shumë se dhjetë basketbollistë të huaj, duke krijuar një jo-stabilitet në skuadër.
Përveç lojtarëve të huaj, Trepça ishte jo-stabile edhe me trajnerë. Filloi me Neven Plantakun, i cili e shpalli kampion ekipin në vitin e kaluar, vazhdoi me Izet Tahirin dhe finlandezin Mika Turunen, si dhe në fund përfundoi me maqedonasin Pance Milevski, ku edhe ky i fundit duket se pikërisht dje e drejtoi për herë të fundit ekipin mitrovicas.
Nuk janë vetëm kaq, ka edhe shumë arsye të cilat mund të shpjegohen si pjesë e dështimit të sivjetëm të Trepçës, por megjithatë kjo tanimë i takon së kaluarës dhe e vetmja gjë që i mbetet Trepçës, është të fillojë të mendojë për edicionin 2013/14.