KUPA E KOSOVËS: PRISHTINA - YLLI
Në finalen e radhës për të mbrojtur trofeun
1 March, 2019 @18:22
Kishin mbetur edhe 1 çerek e 4 minuta lojë kur Prishtina doli në epërsi ndaj Yllit që mbante mirë lojën deri atëherë me avantazh të vogël.
Pikët e Rodney Bullockut nga gjuajtjet e lira kthyen epërsinë te Prishtina e Damir Mulaomerovicit dhe kështu bardhekaltërit më nuk shikuan prapa.
Prishtina realizoi fitore të pritur në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Yllit të Suharekës për tu plasuar në finalen e radhës dhe për të kërkuar mbrojtjen e trofeut, 83-77 [15-18, 24-24, 21-13, 23-22].
Divine Myles është treguar i jashtëzakonshëm te Prishtina sonte. Ai ka shënuar 31 pikë për 40 minuta sa qëndroi në parket, ndërsa shtoi edhe 5 asistime e 5 kërcime.
Khalid Boukichou përfundoi ndeshjen me double-double prej 14 pikëve dhe 16 kërcimeve, ndërsa Mikaile Tmusic shënoi 14 pikë e 3 asistime në fitore.
Te Ylli më efikasi ka qenë Clay Everett. Everett luajti me 34 pikë në 40 minuta lojë. Shutoi 5/10 për tre pikë dhe shtoi në llogari të tij 7 kërcime e 3 asistime.
Leonard Mekaj dhe Alban Veseli shënuan nga 15 pikë secili, por pjesa tjetër e ekipit nuk arriti të kalojë llogarinë njëshifrore të shënimit të pikëve, që duket se në fund i kushtoi shtrenjtë Yllit.
Prishtina në finale pret fituesin e duelit Rahoveci - Prizreni. Cilado nga këto ekipe që e arrin finalen, do të jetë historike për to pasi që asnjëherë nuk kanë arritur kaq lartë në Kupë.
Finalja e Kupës së Kosovës luhet të dielën më 3 mars 2019 në palestrën Mizahir Isma të Rahovecit me fillim prej orës 17:00.