RAHOVECI - YLLI
Foto: KB Ylli
Në “Mizahir Isma” Ylli mposht liderin
5 December, 2019 @21:30
Në ndeshjen kryesore të natës së sontme në Superligë, ku mes vete u përballën Rahoveci dhe Ylli, fituese doli skuadra suharekase.
Ndeshja mes skuadrave në përgjithësi ishte e barabartë, me rezultatin që gjithmonë qëndronte i ngushtë, mirëpo në momentet kritike të ndeshjes, më e përqëndruar u tregua skuadra mysafire, e cila arriti ta mbyllë ndeshjen me rezultatin 68-69.
Vendimtare në fitoren e suharekasve ishin 5 pikët e Alante Fenner në minutat e fundit të ndeshjes, ndërkohë që përpjekjet e Rahovecit në sekondat e fundit dolën të pasuksesshme dhe ndeshja u mbyll me fitoren e mysafirëve.
Më i dalluari te Rahoveci sonte ishte Javis Howard me 25 pikë e 8 kërcime, derisa te Ylli shkëlqyen Samir Zekiqi me 22 pikë, 6 kërcime e 3 asistime, Alante Fenner me 16 pikë e 7 kërcime dhe Valon Bunjaku me 14 pikë, 4 kërcime e 4 asistime.
Kujtojmë që ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave këtë sezon, ndeshje e luajtur në Suharekë, ishte mbyllur me fitoren e Rahovecit, kurse sonte Ylli e barazoi “serinë sezonale” në 1-1.
Përkundër humbjes, Rahoveci me ndeshje më tepër të luajtura i prin Superligës, kurse Ylli momentalisht është i pesti në renditje.