EKSKLUZIVE/ MUHAMED THAÇI

Muhamed Thaçi, gjatë fjalimit në tubimin promovues të partisë së tij
Nga basketbolli në politikë
Intervistoi: Lis Dorambari
13 December, 2012 @20:30
Jo shumë vite më parë gati të gjitha tifozëritë kosovare brohorisnin për të. I etur për fitore në parket, i afërt me shokë dhe i zjarrtë për tifozë - sot ndoshta i mungon shumë ekipeve kosovare. Borozani.com ua sjell basketbollistin e respektuar, që tashmë ka zgjedhur një drejtim tjetër.
Viteve të fundit është bërë trend që sportistët të hyjnë në politikë. Futbollisti Andriy Shevchenko dhe boksieri Vitali Klitschko janë disa nga sportistët të cilët e kanë sprovuar veten në politikë. Hapave të tyre ka vendosur të shkojë edhe një sportist shqiptar. Fjala është për basketbollistin Muhamed Thaçi.
Thaçi është emërtuar kandidat për kryetar të Komunës së Çairit me partinë e tij politike, PDSH (Partia Demokratike Shqiptare). Në intervistën e tij ekskluzive për Borozani.com, Muja tregoi arsyet për hyrjen e tij në politikë.
“Jam futur në politikë për shkak se nuk mund të pajtohem me gjendjen e shqiptarëve të Shkupit, posaçërisht të komunës ku unë jetoj. Të diskriminuar, të lënë anash dhe duke luftuar për kafshatën e bukës. E gjithë kjo si shkak i atyre shqiptarëve që janë në qeveri. Jam kandiduar duke menduar se do të sjell ndryshime në çdo aspekt,” ka thënë Thaçi ekskluzivisht për Borozanin.
Gjithmonë pranë basketbollit
Thaçi beson se politika nuk do të jetë pengesë për të, që të vazhdojë karrierën në basketboll. “Karriera basketbollistike ende nuk ka përfunduar. Kjo do të varret nga rezultati i zgjedhjeve që do të dalin në mars, derisa basketbolli do të jetë gjithmonë me mua.”
Muhamed Thaçi nga shumë njohës të basketbollit vlerësohet si njëri ndër basketbollistët më të suksesshëm shqiptar në vitet e fundit. Ai, mund të thuhet se nuk ka lënë asnjë skuadër në Kosovë pa luajtur. Sigal Prishtina, Mabetexi, Peja (ish Dukagjini), Bashkimi dhe Trepça janë disa nga skuadrat, fanellat e të cilave i ka veshur Muja.
Basketbollisti 31 vjeçar ka pranuar se së fundi interesim për të kanë shprehur Trepça, Bashkimi dhe Vëllaznimi, mirëpo tani për të primare do të jetë skena politike. “Kudo që kam luajtur dhe kam fituar tituj, kam kaluar mirë. Më gëzon fakti se sot shumë njerëz më njohin në Kosovë dhe më përshëndesin, që do të thotë se me të vërtetë kam lënë gjurmë pozitive atje,” ka theksuar Thaçi, duke i kujtuar disa nga momentet më të mira që i ka kaluar në basketbollin kosovar.
Trajner në ekipin NBA Çair
Muja e ka sprovuar veten edhe në zanatin e trajnerit. Ai së fundi ishte trajner i skuadrës shqiptare të Shkupit, NBA Çair, që bënë gara në ligat e grupmoshave të reja të Maqedonisë. “Është ekip me shumë talentë dhe djelmosha shumë të mirë, me një të ardhme të ndritur. Organizimi i klubit nuk është edhe aq në nivel të duhur, por ka shumë lojtarë me perspektivë. Unë kam pasur postin e trajnerit në këtë klub, por për shkak të obligimeve politike tani jam tërhiqur. Megjithatë, do të jem gjithmonë afër këtyre djelmoshave të talentuar për t’i ndihmuar,” ka thënë për fund në intervistën e tij për Borozani.com, tanimë politikani dhe kandidati për kryetar komune, Muhamed Thaçi.