BKT SUPERLIGA
BOROZANI/ Lis Dorambari
Teleboysat senzacional
13 December, 2012 @20:13
Pas humbjes së fundit të papritur kundër Dritës, RTV 21 kësaj radhe shënoi një fitore të parpitur. Ekipi i vetëm që ka arritur ta mposhtë ndonjë skuadër të katërshes së madhe, sonte realizoi edhe një befasi duke shënuar fitore ndaj kampionit aktual, Trepçës, me rezultat të ngushtë 84-79.
21-shi gjatë gjithë takimit ishte në epërsi dhe shënoi fitore të merituar. Mirëpo çereku i katërt për pak sa nuk u bë fatale për ta. Trepça e cila hyri në këtë çerek me -17 pikë disavantazh, pak para përfundimit të takimi e zvogëloi epërsinë e teleboysave në vetëm tre pikë, por megjithatë fitorja mbeti e paaritshme për xehetarët.
Dyshja amerikane e 21-shit, Alexander Joshua dhe Ryan White ishin më meritorët në fitoren e skuadrës së tyre. Joshua realizoi 31 pikë, derisa White kontriboi me 21 pikë, të gjitha të shënuara në pjesën e parë të takimit. Po ashtu lojë të mirë tregoi edhe Albatrit Berisha, i cili shënoi 4 tresha.
Në anën tjetër, për Trepçën më i dalluari ishte qendra amerikane Dennis Mims me 22 pikë, 12 prej të cilëve i shënoi në çerekun e fundit, kurse Besnik Azemi dhe Gazmend Asllani kontribuan me nga 18, përkatësisht 17 pikë.
Izet Tahiri debutoi me humbje
Kjo ishte ndeshja e parë e Trepçës në mungesë të trajnerit Neven Plantak, i cili ishte larguar ditë më parë, ndërsa vendi i tij u zëvendësua nga ish ndihmësi i Plantakut, Izet Tahiri.
Trepça tani ka bilanc prej 18 pikëve, ndërsa 21-shi ka vetëm një pikë më pak dhe gjendet në pozitën e pestë. Në xhiron e ardhshme Trepça udhëton në Prizren për t’u përballur me Sigkos Bashkimin, derisa 21-shi do të jetë mysafire e Kosovës së Vushtrrisë.