PARA NDESHJES

Nuk duhet të jemi të relaksuar
29 March, 2016 @21:32
Sigal Prishtina nuk duhet të jetë e relaksuar në përballjen e nesërme kundër Beroes, megjithëse fitorja prej 14 pikëve në ndeshjen e parë, ia jep deri diku këtë luks bardhekaltërve.
I këtij mendimi është basketbollisti amerikan, Willie Kemp, i cili e çmon rëndësinë e kësaj ndeshjeje.
“Beroe është një ekip i mirë dhe këtë e kam thënë edhe para ndeshjes së parë. Takimi i parë ishte mjaft i vështirë, por arritëm të fitojmë. Ne e dimë se ata vijnë këtu për të fituar, për të luajtur fortë dhe të kualifikohen në finale. Ne nuk mund të jemi fare të relaksuar. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe do të japim maksimumin për t’u kualifikuar,” tha Kemp për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Kemp në ndeshjen e parë ndaj Beroes që u zhvillua në Bullgari, ishte koshashënuesi i tretë më i mirë i Sigal Prishtinës duke shënuar 12 pikë.
Sigal Prishtina dhe Beroe nesër do të jenë përballë njëra tjetrës, në luftë për të shkuar në finale të Ligës Ballkanike ku i pret skuadra e Mornarit.