DHUNË
BOROZANI/ Erdis Driza
Nuk i ngjau derbit!
10 March, 2013 @21:59
Takimi ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës ka përfunduar në mënyrën më të shëmtuar. Edhe 5.32 minuta pa përfunduar çereku i tretë tifozët hyrën në fushë dhe u bënë shkaktarë të ndërprerjes së derbit të kësaj xhiroje në BKT Superligë.
Disa nga tifozët e hyrë në sallë tentuan t’i sulmojnë edhe basketbollistët e Trepçës, ndërsa e gjithë kjo tollovi e krijuar nga disa persona të pandërgjegjshëm përfundoi me ndërhyrjen e njësitit policor. Po ashtu mësohet se në palestër kanë qenë të pranishëm një grup i vogël i tifozëve nga Mitrovica, të cilët kishin ardhur për ta përcjellë ndeshjen në mënyrë të pa organizuar dhe ishin përzier në këtë zënkë.
Në ato çaste rezultati ishte 34-35 në të mirë të Trepçës, ndërsa trajneri i Sigal Prishtinës Arben Krasniqi kishte kërkuar një minutë pushim pas tre treshave të njëpasnjëshme të Drilon Hajrizit.
Koshashënuesit më të mirë deri në momentin e ndërprerjes së ndeshjes ishin Drilon Hajrizi me 13 pikë dhe Fisnik Rugova me 10 pikë.
Me ndërprerjen e takimit Sigal Prishtina mund të pësoj keq, pasi që pritet të dënohet nga federata për shkak organizimit jo të mirë të ndeshjes, si dhe takimi mund të llogaritet me rezultat 0:20 në të mirë të ekipit mysafir.