YLL KAÇANIKU

Nuk kthehem në Kosovë
11 January, 2013 @15:47
Basketbollisti i cili po luan me sukses në Turqi te skuadra Darüşşafaka, Yll Kaçaniku, ka plane afatgjate me këtë klub.
Kohët e fundit emri i Ylli është përmendur me disa skuadra kosovare, por ai ka thënë nuk ka marrë asnjë ofertë nga Kosova dhe synon që të luajë për Darüşşafakan së paku deri në përfundim të stinorit.
“Momentalisht nuk kam oferta dhe nuk do të kthehem në Kosovë. Jam duke menduar vetëm për skuadrën time. Prishtina më herët më ka thënë se e ka derën e hapur gjithmonë për mua, por tani për tani nuk mendojë të kthehem. Këtë stinor do të qëndrojë në Turqi,” ka thënë Kaçaniku për gazetën Sport.
Ndërsa basketbollisti 202 centimetra i gjatë ka shtuar se në të ardhmen ekziston mundësia që të rikthehet në vendlindje. “Nuk i dihet. Pasi skuadrat kosovare të hyjnë në Ligën Ballkanike gjërat mund të ndryshojnë. por nuk besoj që në një të ardhme të afërt do të kthehem,” shtoi ai.
Ylli në Darüşşafaka është duke kaluar një stinor të mirë. Ai është paraqitur në të gjitha ndeshjet në Ligën e dytë turke duke pasur mesatare prej 6.4 pikëve dhe 3.4 asistimeve.
Skuadra e ish basketbollistit të Sigal Prishtinës gjendet në pozitën e katërt në tabelë dhe po synon që stinorin e ardhshëm të sigurojë një vend të kategorinë e parë të basketbollit turk.