
Pas njoftimit të fundit nga FSHF, TKZ do të reagojë ashpër!
14 May, 2025 @11:24
Tifozat Kuq e Zi (TKZ), kanë mbetur pa bileta të garantuara për ndeshjen kualifikuese drejt Botërorit 2026, ku Shqipëria pret Serbinë më 7 qershor të këtij viti. Ndeshja do të luhet në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, ndërsa interesimi për këtë ndeshje pritet të jetë tepër i madh.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) bëri të ditur se për të gjithë spektatorët tjerë të ndeshjes, do të ketë short automatik për blerje të biletave, pos për Tifozët e Kombëtares - që janë anëtarësuar deri rreth 10 majit të këtij viti.
E TKZ, ka reaguar përmes një postimi në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale:
“Kur je pjesë e Tifozëve të Kombëtares, fiton “shortin” pa short. Kur je TKZ, të përjashtojnë në emër të “gjithëpërfshirjes”. Mashtrimi ka emër: Federata Shqiptare e Futbollit.
Reagimi ndaj kësaj padrejtësie nuk do mbetet një zemërim i shtypur, do jetë i ashpër dhe i pandalshëm.”
Gjithashtu, ata kanë botuar edhe e-mailat në komunikimin që kanë pasur me FSHF-në për këtë gjë.