PEJA - TEODO
Peja e mbyll me fitore fazën e dytë
1 March, 2017 @20:32
Skuadra e Pejës ka shënuar fitore në ndeshjen e fundit të fazës së dytë në Ligën Ballkanike.
Verdhezinjtë e mposhtë në palestrën “Karagaçi” skuadrën malaziase, Teodo, me rezultat 75-70.
Rëndësia e kësaj ndeshjeje ishte vetëm sa për të mësuar kundërshtarët e çerekfinales, pasi që pas përjashtimit të Karpos Sokolit nga Liga Ballkanike, edhe Peja e edhe Teodo e kishin siguruar vendin e tyre në çerekfinale.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominimin e plotë të Pejës, e cila në pushim shkoi me +22 pikë epërsi, 54-32.
Por, me të filluar çereku i tretë, gjërat ndryshuan në dobi të mysafirëve, të cilët filluan ta përmbysin disavantazhin që e kishin.
Medje Teodo e përmbysi aq shumë disavantazhin sa që ia rrezikoi edhe fitoren Pejës, që në pjesë të parë dukej se do të arrihej me lehtësi.
Vetëm 17 sekonda para fundit, Teodo u afrua në -3 pikë, kur me shënimin e ish lojtarit të Pejës, Radomir Marojevic rezultati u bë 73-70.
Megjithatë, befasinë e pengoi Noah Dahlman, që u tregua i saktë nga gjuajtjet e lira në aksionin e radhës, për t’ia siguruar fitoren Pejës me rezultat 75-70.
Peja në këtë ndeshje luajti pa ndihmën e Alban Veselit dhe malaziasit, Slobodan Miljanic, ndërsa në mungesë të tyre më i dalluari ishte Robert Abramovic që shënoi 18 pikë, kurse Noah Dahlman luajti me double-double prej 11 pikëve dhe 11 kërcimeve.
Në anën tjetër, ish lojtari i Pejës, Radomir Marojevic, ishte më i dalluari te Teodo me 24 pikë të shënuara.
TABELAT PËRFUNDIMTARE TË FAZËS SË DYTË
Pavarësisht kësaj fitoreje, pozita e Pejës në tabelë nuk ka ndryshuar, megjithëse tashmë i barazoi pikët me Teodon, pasi që në ndeshjen e parë malaziasit kishin shënuar fitore më të thellë.
Me këtë edhe përfundoi faza e dytë grupore, ndërsa tani skuadrat e kualifikuara tutje do të vazhdojnë rrugëtimin nga çerekfinalja, derisa gjysmëfinalen e kanë të garantuar liderët e grupit C dhe D, Beroe dhe Kumanovo.
Peja
1 | Robert Abramovic (26:20) | 18 pikë | 2 kërcime | 1 asistim |
2 | Noah Dahlman (33:22) | 11 pikë | 11 kërcime | 2 asistime |
3 | Jamie Skeen (33:10) | 9 pikë | 4 kërcime | 2 asistime |
4 | Leonard Mekaj (14:42) | 9 pikë | 2 kërcime | 2 asistime |
5 | Arian Qallaku (17:00) | 9 pikë | 2 asistime | 1 top të vjedhur |
6 | Cameron Rundles (22:29) | 8 pikë | 1 kërcim | 4 asistime |
7 | Arti Hajdari (18:18) | 6 pikë | 1 kërcim | 3 asistime |
8 | Austin Tillotson (24:29) | 5 pikë | 7 kërcime | 5 asistime |
9 | Blendi Matoshi (09:35) | 0 pikë | - | - |
Teodo
1 | Radomir Marojevic (23:46) | 24 pikë | 6 kërcime | 3 asistime |
2 | Sreten Knezevic (14:43) | 14 pikë | 1 kërcim | - |
3 | Milos Popovic (20:40) | 8 pikë | 3 kërcime | 2 asistime |
4 | Milos Djurisic (34:20) | 7 pikë | 10 kërcime | 7 asistime |
5 | Nikola Vucurovic (27:51) | 5 pikë | 3 kërcime | 2 asistime |
6 | Stefan Sajin (20:49) | 5 pikë | 2 kërcime | 1 top të vjedhur |
7 | Milan Stanojevic (25:36) | 4 pikë | 1 kërcim | 7 asistime |
8 | Miroslav Damjanovic (24:24) | 2 pikë | 1 kërcim | 4 asistime |
9 | Filip Bakic (07:47) | 1 pikë | 2 kërcime | - |