REALIZOHET TRANSFERI

Foto: KB Peja Official/ Facebook
Peja merr dëmshpërblim për Mocnikun
3 January, 2015 @16:16
Basketbollisti slloven, Jan Mocnik, që për gjysmëstinorin vjeshtor, sa qëndroi në Pejë, hyri në zemrat e tifozëve të këtij ekipi me performancat e treguara - tashmë edhe zyrtarisht është lojtar i ri i Helios Domzales nga Sllovenia.
Pasi që kishte kontratë një vjeçare me ekipin pejan, në bazë të rregullave, Peja ka përfituar nga kalimi i tij në ekip tjetër - dhe kështu verdhezinjtë bëhen të parët që arrijnë të marrin dëmshpërblim nga një ekip për një lojtar, këtë stinor.
“Transferi është mbyllur dhe klubi ynë ka arritur marrëveshje për dëmshpërblim, derisa vlera e dëmshpërblimit është simbolike,” ka njoftuar klubi pejan përmes një komunikate të lëshuar në Facebook pak më parë.
“Falenderojmë FBK-në që ka mbrojtur klubin tonë si është më së miri dhe nuk ka lejuar transferin e lojtarit deri në arritjen e marrëveshjes ndërmjet ekipeve,” ka shtuar më tej komunikata e verdhezinjëve, duke mos bërë të ditur shumën, përkundër që ajo është simbolike.
Peja ka përfunduar stinorin vjeshtor në pozitë të dytë të klasifikimit në Superligë me bilanc të njejtë si Prishtina, derisa ka parë veten lider në Grupin A të BIBL në Vitin e Ri.
Ekipi që udhëhiqet nga kroati Boris Kurtovic, do të nis stërvitjet për pjesën e dytë të stinorit të hënën që vjen.