GJENDJA TE KB PEJA
Peja në pritje, ende s’ka nisur përgatitjet
21 September, 2017 @11:03
Skuadra e Pejës që është kampionja e fundit e Kosovës, para se të merr primatin Sigal Prishtina për titujt radhazi në vitet e fundit, është në krizë të madhe financiare.
Ekipi verdhezi ende nuk ka nisur përgatitjet për stinorin e ri, ndërsa në skuadër i vetmi që mezi pret fillimin e punës pa shikuar asnjë detaj tjetër është trajneri Bujar Loci.
Kryesia po bën përpjekje maksimale për kushte - BUJAR LOCI
“Unë jam në klub që nga viti 1993 dhe pavarësisht gjendjes është natyrshme që të jem këtu,” ka thënë Loci për Kohën ditore dje.
“Kur të vinë lojtarët do të nisim me stërvitje. Stërvitjet nuk i kemi filluar ende, por po bëhen përpjekje maksimale nga kryesia për të krijuar kushte materiale dhe optimale për punë,” është cituar të ketë thënë Loci për gazetën.
Më tej, Loci që është edhe njëri ndër themeluesit e KB Peja, ka bërë të ditur se ekipi nuk ka qenë në gjendje më të rëndë asnjëherë në histori, sesa që është sot.
TITUJT DHE ARENA NDËRKOMBËTARE
Peja, që ka fituar 5 tituj kampioni, 5 Kupa të Kosovës dhe 2 Superkupa, është duke marë pjesë në gara ndërkombëtare që prej stinorit 2013/14.
Verdhezinjtë janë paraqitur në Ligën Ballkanike (BIBL) për katër stinore me radhë, ndërsa në stinorin e shkuar debutuan edhe në FIBA Europe Cup.
Përforcimet e shumta të bëra për shkak të synimeve të mëdha, kanë sjellë krizën financiare në skuadër - që duket se do ta kalojë këtë stinor duke luftuar për mbijetesë në Superligë.
Prej skuadrave të mëdha këtë stinor në krizë financiare është edhe Trepça e Mitrovicës. Edhe mitrovicasit në stinorin e kaluar debutuan në gara ndërkombëtare, duke marrë pjesë në BIBL për herë të parë - por kjo në aspektin financiar u kushtoi shumë, sa që këtë stinor nëse diçka është e sigurt, atëherë duelet e katërshes së madhe të basketbollit kosovar ku përveç dy ekipeve të përfoluar, bëjnë pjesë edhe kampionja aktuale Sigal Prishtina dhe nënkampioni, Bashkimi - nuk do të luhen para palestrave të stërmbushura me shikues dhe nuk do të kenë atë rivalitetin e viteve të fundit.
Përndryshe, KB Peja e ka të ndaluar nga FIBA transferimin e lojtarëve të huaj në skuadër, pasi që ka borxhe që kapin shifrën e 100 mijë eurove!