PARA NDESHJES: KUMANOVA-PEJA
Peja një hap para finales, me probleme
29 March, 2017 @9:17
Sonte skuadra e Pejës ndeshet me Kumanovën si mysafir në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së BIBL. Verdhezinjtë kanë 4 pikë epërsi nga ndeshja e parë, që e fituan në “Karagaç” javën e kaluar.
Mirëpo, siç raporton Koha ditore sot, verdhezinjtë nuk dihet ende nëse do të mund të llogarisin te Cameron Rundles dhe Jamie Skeen, për shkak të vonesave të pagave.
Njejtë, Noah Dahlman, nuk është paraqitur as në ndeshjen e kaluar të zhvilluar në “Karagaç” dhe faqja e BIBL shkruan se ai nuk do të paraqitet përsëri. Ndërkaq, trajneri Aleksandar Todorov, është parë në Shkup në ditët e shkuara që do të thotë se nuk ka stërvitur ekipin para ndeshjes së rëndësishme që zhvillohet sonte.
Sidoqoftë, Peja do të ketë opcione dhe mundësi për tu shtyer me Kumanovën deri në fund dhe me pak fat ndoshta do të arrijë edhe finalen e parë të BIBL në histori të klubit, gjë të cilën e kërkon edhe rivali i saj i sontëm nga Maqedonia.
Ndeshja nis në ora 19:00.