Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA FITON BASHKIMIN DHE SIGURON GJYSMËFINALEN

Peja siguron gjysmëfinalen e PlayOffit

Fotot: FBK

Peja siguron gjysmëfinalen e PlayOffit


26 March, 2023 @23:39

Një fitore jashtëzakonisht e nevojshme, por edhe e rëndësishme për Pejën ka ardhur sonte, derisa djelmoshat verdhezi të këndellur nën drejtimin e trajnerit Rami Hadar kanë fituar ndaj Bashkimit me 16 pikë dallim, për të siguruar njërën nga dy pozitat e para të renditjes, ashtu që të nisin PlayOffin prej gjysmëfinales.

Peja nisi furishëm ndeshjen 33-14, por pas çerekut të parë Bashkimi u këndell 14-25 dhe çoi ndeshjen deri në periudhën e fundit në parehati për vendasit, pasi që iu afrua atyre në 6-pikë! Mirëpo, verdhezinjtë menaxhuan mirë 5-minutat e fundit të ndeshjes dhe rikthyen dallimin mbi 10-pikësh në lojë për të siguruar fund të rehatshëm në fitoren 95-79.

Jalen Tate në formë, ka qenë përsëri koshashënuesi më i mirë i pejanëve. Ai shënoi 23 pikë, bëri 5 asistime e 9 kërcime në fitore, ndërsa David Joseph dha 15 pikë, duke shtuar në llogari të tij edhe 4 asistime e 4 kërcime.

Arti Hajdari

Kapiteni Arti Hajdari ka qenë i shkëlqyeshëm në gjuajtje për tri pikë te Peja sonte, derisa shutoi me përqindje të lartë (83%) duke shënuar 5 nga 6 tentimet e tij, kurse ndeshjen e kreu me 17 pikë, 2 asistime e 4 kërcime.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS

Te Bashkimi që luajti me pak mundësi rotacioni, Fisnik Rugova ishte më i miri, por prishtinasi s’mjaftoi për ekipin përkundër se kreu lojën me double-double prej 22 pikëve, 13 kërcimeve dhe 1 asistimi. Dajuan Graf dha 20 pikë, ndërsa Daniel Lekndreaj vazhdoi me serinë e tij të double-doublave duke shënuar 15 pikë dhe duke bërë 12 kërcime, krahas 4 asistime që i bëri.

Derisa për Pejën kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme dhe tashmë do të nis PlayOffin prej gjysmëfinales, Bashkimi duket të jetë i dorëzuar për më tepër ndërsa ka mbetur në pozitë të pestë të rehatshme për çerekfinale PlayOffi ndaj Trepçës.

Peja ka bërë bilansin 20-7 derisa i ka mbetur edhe një ndeshje për përfundimin e stinorit të rregullt dhe pret rezultatet e Prishtinës për të kuptuar a do të përfundojë stinorin në vend të parë apo të dytë. Bashkimi në anën tjetër me 11-15 ka të siguruar qe disa javë pozitën e pestë në renditje, ndërsa pos ndeshjes së mbetur ndaj Prishtinës, ka edhe duelin ndaj kampionit aktual, Ylli, në xhiron e fundit të stinorit të rregullt.

Peja ka siguruar gjysmëfinalen, pasi që në duele direkte me Yllin kanë bilans 2-2, por në këto ndeshje pejanët kanë kosh-dallim më të mirë - që u jep atyre përparësinë në renditje tabelare në rast të përfundimit të stinorit me pikë të barabarta.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga