FINALJA E SUPERKUPËS: PENZA - PRISHTINA

Foto: FBK
Penza triumfon! Pejanet fitojnë Superkupën
5 October, 2021 @20:49
Penza ka shënuar fitore në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll duke e mposhtur Prishtinën për të fituar trofeun e parë të sezonit.
Pejanet janë treguar më të mira në çerek të parë, ndërsa përkundër insistimit të mysafireve në vazhdim të ndeshjes, ato nuk kanë arritur assesi të shkrijnë epërsinë e vashave verdhezi, të cilat të drejtuar nga Bujar Loci, kanë mposhtur prishtinaset 77-71 [22-16, 17-18, 19-20, 19-17] në fund.
Kapitenja e Penzës, Valbona Bytyqi, përsëri është treguar vendimtare, derisa ka shënuar 23 pikë në fitore, duke kontribuuar edhe me 17 kërcime e 5 asistime në fitore.
Pos saj, 21 pikë tjera bashkë me gjashtë asistime i ka shënuar amerikanja Briana Williams ndërsa 19 të tjera i ka dhënë Cheah Rael-Witsiit, bashkë me 16 kërcime tjera.
Te Prishtina nuk kanë mjaftuar 27 pikët e Sarah MgBeikes, që ka qenë më efikasja e finales, duke shtuar edhe 16 kërcime. Aisia Robertson ka dhënë 15 pikë tjera, ndërsa Arbnore Përçuku ka shënuar 14 pikë e 12 asistime, që gjithashtu s’mjaftuan për të fituar trofeun.
Me gjashtë pikë dallim në finalen thuajse krejtësisht të barabartë, Penza nis gëzimin duke festuar me trofe, pak para fillimit të sezonit 2021/22 në Ligën e Femrave.
Penza kishte mposhtur Vëllaznimin në gjysmëfinale, ndërsa Prishtina kishte mposhtur vashat e Bashkimit aty, për të arritur finalen.