ADIS BECIRAGIC
Për titull duhen 3 fitore
7 May, 2021 @23:58
Trajneri i Golden Eagle Yllit, Adis Beciragic, është treguar modest në deklaratën e tij pas ndeshjes, përkundër se ekipi i tij mori avantazhin e terrenit në përballjen e parë të serisë finale.
Golden Eagle Ylli duke mposhtur Pejën në ndeshjen e parë të serisë, tashmë ka epërsinë e terrenit dhe nëse nuk gabon si vendas, do të mund të sjellë titullin e parë të kampionit në histori të klubit.
“Duhet të fitojmë 3 ndeshje. Kjo është vetëm ndeshja e parë. Një fitore është në rregull, por s’do të thotë asgjë. Ka qenë ndeshje e mirë në përgjithësi. Në fund, ne u treguam më të mirë dhe fituam,” ka thënë Beciragic pas ndeshjes.
“Shkojmë në shtëpi të lumtur me fitoren e arritur, por të mos harrojmë, 1-0 në seri nuk është asgjë,” ka theksuar edhe njëherë boshnjaku, që në vitin e kaluar ia pat sjellë trofeun e Kupës së Kosovës, Pejës.