BARDHEKALTËR
Përforcimet e Prishtinës, përkrah yjeve të NBA-së
Përgatiti: Lis Dorambari
6 October, 2015 @11:03
Ray Allen, Carmelo Anthony, Chris Bosh, Andre Igoudala, Rajon Rondo dhe të tjerë. Mjafton të keni pak njohuri për basketbollin që t’i dini se kush janë këta emra.
Të gjithë janë tashmë yje të dëshmuar në ligën më të fortë në botë, NBA, ndërsa të gjithë këta emra të lartpërmendur, më herët kanë pasur punë me përforcimet e reja të Sigal Prishtinës.
Khalid El-Amin
Organizatori veteran i Sigal Prishtinës, është njëri prej basketbollistëve më me përvojë që ka shkelur në palestrat kosovare. Ai në vitin 2000 ka qenë i përzgjedhur në raundin e dytë të draftit të NBA-së nga Chicago Bulls, ndërsa ka zhvilluar 50 ndeshje në NBA duke regjistruar mesatare prej 6.3 pikëve për ndeshje.
Ai gjithashtu ka luajtur edhe në “All-Star Rookie” të vitit 2001, ku përballë ka pasur lojtarë si Lamar Odom, Jason Terry, Shawn Marion etj., derisa kishte shkëlqyer me 18 pikë të shënuara, duke u bërë koshashënuesi i dytë më i mirë tek debutuesit (rookie).
Mohamed Abukar
Aloqendra e re e Sigal Prishtinës gjithashtu ka pasur përvojë me shumë basketbollistë të njohur të NBA-së. Mjafton të përmendet viti 2002, kur e kishte fituar medaljen e bronztë me përfaqësuesesen e SHBA-së në kualifikimet për Kampionatin Botëror për U-18. Në atë kohë, bashkëlojtarët e Abukar kanë qenë tashmë superyjet e NBA-së si Carmelo Anthony, Chris Bosh, Andre Igoudala, Deron Williams etj.
Alhaji Mohammed
Përndryshe, vëllau i vogël i basketbollistit të shumë skuadrave nga NBA, Nazr Mohammed. Megjithëse nuk arriti të ketë karrierë sikur vëllau i tij i madh, cilësitë e Alhaji Mohammed nuk mund të nënvlerësohen. Ai ndoshta nuk ka luajtur në NBA, mirëpo së paku ka pasur rastin të stërvitet me yjet e NBA-së, siç mund ta shihni më poshtë në rastin me Rajon Rondon.
Bamba Fall
Kulla prishtinase 217 centimetra e gjatë, gjatë kohës sa ka qenë në shkollë të mesme, përkatësisht tek kolegji i njohur OAK Hill Academy, ka pasur rastin të luajë me shumë basketbollistë të njohur ndër ta edhe Rajon Rondo, Josh Smith, Kevin Durant etj, ndërsa një kohë ka qenë bashkëlojtar edhe me basketbollistin nga Shqipëria, Bruno Daliu.