CELTICS - CAVS @ GAME 5

Përfundon seria, Cavs në finalen e madhe
26 May, 2017 @11:22
Me fitoren e kampionit në fuqi është mbyllur ndeshja e pestë e serisë mes Bostonit dhe Clevelandit, duke bërë kështu që në finalen e madhe të kualifikohet Clevelandi me rezultat të përgjithshëm 4-1 pas 5 ndeshjeve ndaj Bostonit në kuadër të finaleve së Konferencës Lindore.
Ndeshja nuk pati fare histori, me Cavaliers që shënuan plot 43 pikë qysh në çerekun e parë, numër ky rekord për këtë skuadër, dhe ndeshja mori kahjen e duhur, pasi që dukshëm shihej një Boston i pafuqishëm për ndonjë rikthim senzacional.
Një rekord të ri Cavaliers e arritën edhe sa i përket pikëve të shënuara në pjesën e parë, pasi që këtë pjesë e mbyllën me plot 75 pikë të shënuara dhe kështu pjesa e dytë e takimit u zhvillua pa emocione, me ‘keltët’ që ishin pajtuar me humbjen dhe eliminimin.
Më i dalluari te Cavaliers në këtë fitore ishte LeBron James me 35 pikë, 8 asistime e 8 kërcime, derisa te Bostoni u veçua Avery Bradley me 23 pikë 1 asistim e 4 kërcime. Me 35 pikët e shënuara mbrëmë, LeBron James tashmë e ka kaluar Michael Jordanin sa i përket numrit të pikëve të shënuara në play-off, duke i bërë lojtari me më shumti pikë në histori të NBA-së kur flitet për play off-in. Gjithashtu, James mbrëmë e kaloi edhe Manu Ginobilin sa i përket tresheve të shënuara në playoff.
Në finalen e madhe Cleveland do të takohet me Golden Staten, ashtu si në 2 vitet e kaluara, ndërsa Bostoni përkundër eliminimit, mbrëmë e mbylli një sezon tejet të suksesshëm. Kur jemi te individët, kjo do të jetë finalja e shtatë radhazi për LeBron Jamesin në NBA.