CONSTANTINIDES
Presioni te Peja, Prishtina s’ka çka humb
21 May, 2016 @13:52
Trajneri i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, ka thënë se Peja është në presion, ndërsa skuadra e tij nuk ka se çka të humb, para ndeshjes së fundit të serisë finale ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës që do të luhet sot.
“Mbi të gjitha, kjo finale do të jetë shumë e vështirë dhe e fortë për të dy ekipet. Presioni do të jetë i madh, në veçanti mbi Pejën për shkak se ekipi ynë për momentin nuk ka çfarë të humb. Ekipi që do të jetë më i përqëndruar dhe që do të tregojë lojë të kujdesshme si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, do të shpallet kampion,” ka thënë Constantinides, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Më tej, trajneri qipriot tha se skuadra e tij edhe në dy ndeshjet e mëparshme në Pejë ka qenë afër fitores, derisa beson që ky është një tjetër titull që e meriton Prishtina pas Kupës dhe Ligës Ballkanike.
“Në dy ndeshjet e mëparshme të serisë finale që i kemi luajtur në Pejë ishim shumë pranë fitores dhe shpresoj se këtë herë do ta gjejmë mënyrën për të fituar titullin. Në bazë të lojërave që i kemi treguar prej janarit e deri më tani, mendoj se meritojmë edhe këtë titull pas Kupës dhe Ligës Ballkanike.”