NIKOLA VUCEVIC
Prishtina e fortë, Mornari duhet të jetë krenar për arritjet
24 April, 2016 @19:27
Basketbollisti malazias i skuadrës nga NBA, Orlando Magic, Nikola Vucevic, ka qenë njëri prej mysafirëve të veçantë në ndeshjen finale të Ligës Ballkanike që u zhvillua ndërmjet Mornarit dhe Sigal Prishtinës në Tivar.
Sigal Prishtina megjithëse ishte mposhtur në këtë ndeshje, falë fitores me koshdallim më të lartë në ndeshjen e parë, është shpallur kampione e Ligës Ballkanike për sivjet.
Lexo gjithashtu: Tanjevic i befasuar me cilësinë e Prishtinës
Pas ndeshjes, Vucevic ka komentuar ndeshjen, duke thënë se Mornari duhet të jetë krenar për arritjet e sivjetme pasi në finale është përballur me një skuadër shumë të fortë.
“Ndjehem shumë mirë në këtë palestër të mbushur. Unë kam luajtur për këtë skuadër kur isha më i ri dhe jam shumë i lumtur që ata kanë arritur deri në finale. Kjo është diçka e madhe për klubin, qytetin dhe tifozët. Tivari ka prodhuar shumë lojtarë që kanë karrierë të shkëlqyer, kështu që ky është qytet i basketbollit. Ka qenë shumë e vështirë për ta që të fitohet titulli, sepse ata humbën me dallim prej 14 pikëve në ndeshjen e parë. Sigal Prishtina është një ekip shumë i mirë dhe unë mendoj se qyteti duhet të jetë krenar për Mornarin që ka arritur deri këtu,” ka thënë Vucevic.