Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REAGIMI I PRISHTINËS

Prishtina e quan ndërhyrje në garë dhe favorizim i një ekipi, shtyerjen e ndeshjes ndaj Ballkanit

Prishtina e quan ndërhyrje në garë dhe favorizim i një ekipi, shtyerjen e ndeshjes ndaj Ballkanit


25 October, 2022 @22:13

Pas shtyerjes së ndeshjes derbi ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës, e paraparë të luhet këtë fundjavë në kuadër të Superligës, për shkak të ndeshjes së Ligës së Konferencës që Ballkani do ta luajë ndaj Slavias së Pragës të enjten, ka reaguar FC Prishtina.

Rekord-kampionia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë ku ka reaguar ashpër ndaj Vendimit të Federatës, duke e quajtur atë ndërhyrje direkte në garë dhe favorizim i njërit ekip.

Mëposhtë, lexoni reagimin e plotë të FC Prishtinës, botuar sonte në llogaritë zyrtare të ekipit në rrjete sociale.


Shtyrja e ndeshjes Ballkani - Prishtina është ndërhyrje direkte në garë dhe favorizim i njërit ekip!

Sfida mes Ballkanit dhe Prishtinës, ishte paraparë që të zhvillohet më 30 tetor, por kjo ndeshje është shtyrë nga Komisioni i Garave i Albi Mall Superligës.
Orari për zhvillimin e këtij takimi që i takon xhiros së 13-të të Albi Mall Superligës nuk është caktuar ende.
Komisioni ka dhënë një arsyetim, se kinse Ballkani luan në mesjavë ndeshjen në Ligën e Konferencës ndaj Slavia Pragës.
Shtyrja e takimit mes Ballkanit dhe ekipit tonë është ndërhyrje direkte në ndershmëri të garës dhe favorizim për ekipin suharekas.

Ballkani të enjten do ta vazhdojë aventurën në Evropë, ndërsa suksesi i tyre do të na bëjë të gjithëve krenar, siç na ka bërë deri më tash, por FC Prishtina dhe klubet e tjera në Kosovë nuk e kanë luksin që të presin derisa skuadra suharekase të çlodhet për të zhvilluar një ndeshje derbi dhe të fortë siç kanë qenë ndeshjet në vitet e fundit me Prishtinën!
Kjo shtyrje na duket e çuditshme edhe për faktin se skuadra e Ballkanit ndaj Slavia Pragës luan në Prishtinë dhe nuk do të ketë udhëtime të gjata jashtë vendit.
Kujtojmë se Ballkani deri më tash i ka zhvilluar garat në Superligë edhe pas hyrjes në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ballkani si fillim është përballur me CFR Cluj më 08.09.2022 e tre ditë më pas ka luajtur në Superligë me Dritën më 11.09.2022.
Me Slavia Pragën ka luajtur në udhëtim më 15.09.2022 derisa katër ditë më pas (19.19.2022) e ka sfiduar FC Ferizajn. Dallimi tre ditë ka qenë edhe me ndeshjet Sivasspor - Ballkani (06.09.2022) dhe Ballkani - Malisheva (09.09.2022) si dhe duelet Ballkani - Sivasspor më 13.10.2022 e Drenica - Ballkani më 16.10.2022.
Përjashtim në këtë rast bënë Prishtina, të cilës i kërkohet shtyrja e ndeshjes, jo për një ditë mirëpo për kohë të pacaktuar!.

FC Prishtina gjithashtu shpreson se Komisioni i Grave në të ardhmen do t’i bëjë më mirë llogaritë pasi që në fillim të edicionit është njoftuar se ndeshja FC Ballkani - FC Prishtina do të zhvillohet më 27.10.2022, ndërkohë që më 24.10.2022 sërish e kemi dërguar orarin ku keni konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet më 30.10.2022, e një ditë më pas (sot) njoftohemi se përballja me Ballkanin është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Me respekt, FC Prishtina.


 
Të gjitha lajmet nga