PRISHTINA - BASHKIMI
Prishtina mposht Bashkimin, e qetë në krye
13 January, 2018 @21:04
Me fitoren e vendasve është mbyllur dueli mes dy liderëve të Superligës së Kosovës në basketboll, Prishtinës e Bashkimit.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte pothuajse e barabartë, me rezultatin që pas 20 minutave shënonte 32-31, ndërsa shkëputja në rezultat ndodhi në çerekun e tretë, çerek në të cilin Prishtina shënoi 13 pikë më tepër se prizrenasit dhe krijoi epërsi të mjaftueshme për pjesën e mbetur të ndeshjes. Pas 40 minutave lojë, rezultati në semafor shënonte 81-73 në të mirë të vendasve.
Në anën tjetër, Bashkimi e kërkoi përmbysjen në çerekun e fundit, mirëpo kampioni në fuqi i Kosovës nuk lejoi asnjë befasi dhe e arriti fitoren e 15 me radhë në Superligë, fitore kjo që erdhi në debutimin e Andin Rashicës si trajner i skuadrës bardhekaltër nga kryeqyteti.
Më të dalluarit te Prishtina ishin Fisnik Rugova me 21 pikë, 8 kërcime e 4 asistime dhe Edmond Azemi me 20 pikë, 3 kërcime e 4 asistime, derisa te Bashkimi u veçuan Mikaile Tmusic me 27 pikë, 2 kërcime e 1 asistim, Aaron Moss me 19 pikë, 5 kërcime e 5 asistime dhe Urim Zenelaj me double-double prej 11 pikëve e 10 kërcimeve.
Kjo fitore bën që Prishtina të mbetet e qetë në krye me 15 fitore në po aq ndeshje, ndërsa Bashkimi ndodhet në vendin e dytë me bilanc 10-5.