Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PREMATCH: BASHKIMI-PRISHTINA

Prishtina përballë Bashkimit, kërkon ta harrojë humbjen e para 3 ditëve

Prishtina përballë Bashkimit, kërkon ta harrojë humbjen e para 3 ditëve


27 February, 2021 @11:05

Ndeshje interesante në Superligën e basketbollit pritet të zhvillohet sot në ndeshjen mes dy rivalëve të vjetër, Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.

Prishtina e cila u motivua në fillim të këtij muaji duke e fituar Kupën e Kosovës, e rinisi keq kampionatin pas pushimit dy javor, duke u mposhtur nga Vëllaznimi në shtëpi 3 ditë më parë.

Ndërsa për Bashkimin kjo do të jetë ndeshja e parë pas 24 ditëve pushim. Ndeshja e fundit e Bashkimit ishte në Kupë përballë Yllit më 3 shkurt, ndërsa ndeshja paraprake përballë Ponte Prizrenit që ishte paraparë të zhvillohej në mesjavën që e lëmë pas, dështoi të zhvillohej, për shkak të paqartësive mes kompanive televizive transmetuese.

Bashkimi që nga koha kur e zhvilloi ndeshjen e fundit, ka bërë ndryshime të shumta në ekip dhe kjo mund të jetë një problem për trajnerin Illmen Bajra në aspekt të komponimit të ekipit. Së fundi nga ekipi u largua Endrit Hysenagolli, ndërsa është konfirmuar edhe mungesa e Sean Hoehn për shkak të infektimit me Covid-19. Ata pritet të zëvendësohen nga përforcimet e reja Obinna Oleka dhe Christian Lutete, të cilët ende nuk kanë debutuar me portokallezinjtë.

Ndërsa te Prishtina ndryshime ka te shtabi teknik, pas dorëheqjes së kryetrajnerit Dragan Radovic. Bardhekaltërit nuk kanë zyrtarizuar ende ndonjë emër që do ta zëvendësonte Radovicin, prandaj në këtë ndeshje rolin e kryetrajnerit pritet ta luajë ndihmëstrajneri Andin Rashica.

TABELA AKTUALE

Ndeshja mes Bashkimit dhe Sigal Prishtinës luhet në “Sezai Surroi” të Prizrenit nga ora 17:00.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga