PRISHTINA
Prishtina prezanton të huajt, nesër nisen në Bullgari
24 September, 2014 @14:47
Fituesja e të gjitha trofeve të stinorit të kaluar në Kosovë, Sigal Prishtina, sot ka mbajtur një konferencë për shtyp ku janë prezantuar përforcimet e reja të skuadrës dhe janë dhënë disa informata në lidhje me ndeshjet përgatitore para fillimit të stinorit të ri.
Në konferencë përveç treshes së huaj të bardhekaltërve, Jordan Hulls, Aaron McGhee dhe Edin Bavcic, prezent ishin edhe kryetrajneri i ri, Sabit Hadzic, dhe menaxheri i klubit, Florian Miftari.
Ekipi i Sigal Prishtinës do të udhëtojë nesër në Bullgari për të zhvilluar disa ndeshje përgatitore. Prishtinasit së pari do të zhvillojnë një ndeshje me kampionin aktual të Ligës Ballkanike, Levski, ndërsa më pas do të jetë pjesëmarrëse e turneut International Men Tournament në Burgas të Bullgarisë që do të zhvillohet nga datat 26-28 shtator. Në këtë turne përveç Sigal Prishtinës do të marrin pjesë edhe skuadrat BC Balkan (Bullgari), BC Chernomorets (Bullgari) dhe KK Kozuv (Maqedoni).
Sigal Prishtina ndeshjen e parë zyrtare do ta luajë më 2 tetor, në kuadër të Superkupës së Kosovës kundër skuadrës së Bashkimit.