PLAY OFF

BOROZANI/Erdis Driza
Prishtina turpëroi Bashkimin
11 May, 2013 @22:11
Sigal Prishtina ka treguar frymë kampioni sonte. Me mbrojtje të mirë, të instaluar nga trajneri i tyre turk, Ahmet Kandemir, ata që në çerekun e parë të ndeshjes kanë larguar dilemën e fituesit të ndeshjes. Derisa prishtinasit shënuan 32 pikë në çerekun e parë, basketbollistët e Bashkimit nuk arritën shifrën e dhjetë pikëve, duke shënuar vetëm nëntë sosh.
Loja ekipore dhe mbrojtja edhe njëherë kanë dalë të jenë kyqe në basketboll. Kapiteni i kaltër-e-bardhëve, Edmond Azemi, që nuk ka pushuar për asnjë sekond dhe ka qenë i pranishëm për 40 minuta në ndeshje ka qenë njeriu më efektiv shikuar statistikat e përgjithshme të ndeshjes. Ai ka shënuar 18 pikë, ka regjistruar 4 asistime, 8 kërcime dhe ka vjedhur katër topa në fitoren e thellë të ekipit të tij, 88-59.
I ndihmuar edhe nga vëllezërit Rugova si dhe qendra amerikane në formë, Akida McLain, Sigal Prishtina për asnjë moment në ndeshje nuk ka humbur nga serioziteti, koncentrimi dhe loja e saj. Kështu, djelmoshat e Ahmet Kandemirit me plotë meritë shkojnë në finalen e Play-Offit ku do të zgjidhet epilogu i kampionit të ri të Kosovës në basketboll.
Në anën tjetër te prizrenasit asgjë nuk funksiononte. Treshja e huaj nuk ishte në nivel të detyrës dhe me lojë nonshalante vetëm sa ngulfatnin skuadrën, që u ndëshkua me katër gabime teknike dhe 18 humbje të topave në ndeshje.
Kejuan Johnson shënoi 23 pikë në humbjen e ekipit të tij, për të qenë koshashënuesi më i mirë i ndeshjes, që i shërbejnë për statistika individuale të tij. Mark Dawson e Mustafë Merovci kanë qenë të vetmit që kanë kaluar pragun e dhjetë pikëve të shënuara, ku i pari shënoi 13, ndërsa i dyti 12 pikë.
Sigal Prishtina ka shënuar 42 pikë nga zona derisa Sigkos Bashkimi vetëm 18, ndërsa sa i përket rasteve të dyta, prishtinasit kanë shënuar 20 pikë krahas pesë pikëve të prizrenasve.
Sigal Prishtina në finale takohet me Pejën. Gjatë kampionatit të rregullt këto dy skuadra kanë pasur nga dy fitore në terren të vetë ndaj njëra tjetrës, ndërsa në finale të Kupës së Kosovës të luajtur në Sezai Surroi të Prizrenit, Prishtina kishte fituar me një pikë epërsi. Peja ka përparësinë e terrenit vendas në finale që luhen deri në tre fitore, pasi që stinorin e rregullt e ka përfunduar si lidere në renditjen tabelare.
PLAY OFF - GJYSMËFINALJA - NDESHJA III
Sigal Prishtina - Sigkos Bashkimi | 88-59 | (32-9, 53-30, 68-44 dhe 88-59) Rrjedha e rezultatit sipas çerekëve | 2-1 Rezultati i serisë |
STATISTIKAT INDIVIDUALE TË PRISHTINËS - TOP 5
1 | Akida McLain | 22 pikë | 3 asistime | 7 kërcime |
2 | Edmond Azemi | 18 pikë | 4 asistime | 8 kërcime |
3 | Granit Rugova | 18 pikë | 2 asistime | 5 kërcime |
4 | Fisnik Rugova | 18 pikë | 3 asistime | 7 kërcime |
5 | Fahri Breca | 4 pikë | 7 asistime | 1 kërcim |
STATISTIKAT INDIVIDUALE TË BASHKIMIT - TOP 5
1 | Kejuan Johnson | 23 pikë | 2 asistime | 5 kërcime |
2 | Mark Dawson | 13 pikë | 1 asistim | 12 kërcime |
3 | Mustafë Merovci | 12 pikë | 3 kërcime | |
4 | Muhamed Hasani | 4 pikë | 1 asistim | 1 kërcim |
5 | Qëndrim Biraj | 3 pikë | 1 asistim | 1 kërcim |