BASHKIMI - PRIZRENI
Prizreni mposhtë Bashkimin për herë të parë
2 February, 2019 @20:48
Për herë të parë në historinë e klubit, skuadra e Prizrenit ka arritur ta mposhtë Bashkimin në takimin e luajtur sonte në “Sezai Surroi”.
Skuadra e Prizrenit krijoi epërsi 6 pikëshe pas çerekut të parë, ndërsa duke mbajtur çerekët e tjerë pothuajse të barabartë, arriti ta fitojë takimin me rezultat 75-83.
Humbja e pësuar sonte bën që trajneri i ri i Bashkimit, Jeronimo Sarin, ta fillojë me disfatë aventurën e tij te skuadra portokallezi, ndërsa përveç tij te Bashkimi sonte debutoi edhe Drilon Hajrizi, i cili zhvilloi paraqitje mjaft të mirë personale, duke luajtur me double-double prej 14 pikëve, 13 kërcimeve e 4 asistimeve.
I zakonshmi Elliott Cole, me 23 pikë, 3 kërcime e 6 asistime, ishte më i miri te Prizreni sonte, kurse te Bashkimi, Lamar Wofford me 25 pikë e 11 kërcime dhe Jordan Capps me 21 pikë, 8 kërcime e 1 asistim, ishin më të mirët.
Falë koshaverazhit, Prizreni me këtë fitore ngjitet mbi Bashkimin dhe Trepçën në tabelën e klasifikimit, ndërkohë që të trija skuadat kanë bilanc 8-9 pas 17 ndeshjeve të luajtura sivjet.
Në xhiron e ardhshme, Prizreni e pret Yllin në Prizren, kurse kampioni në fuqi i Kosovës i shkon Prishtinës në kryeqytet.