FINAL 8: RAHOVECI - KERASANI
Rahoveci, skuadra e parë e Final Four-it
28 February, 2018 @19:55
Në duelin e parë të ‘Final 8’ që ka nisur sot në Suharekë, Rahoveci ka shënuar fitore më të vështirë se që pritej ndaj Kerasan Prishtinës.
Edhe pse ndeshja filloi mjaft mirë për ‘vreshtarët’, të cilët patën epërsi 21-16 pas 10 minutave, çereku i dytë kaloi me ‘shpërthimin’ e skuadrës prishtinase, e cila shënoi plot 25 pikë dhe duke aplikuar mbrojtje fantastike pranoi vetëm 9, për të shkuar kështu në pushim me epërsi.
Mirëpo, skuadra e Rahovecit e rriti përqëndrimin me të filluar çereku i tretë dhe filloi ta rikthente ndeshjen në anën e vet, për ta mbyllur takimin me fitore të ngushtë 81-74.
Më meritorët për këtë fitore të Rahovecit ishin Arian Qallaku me 17 pkë, 13 kërcime e 5 asistime dhe Arti Hajdari e Junious Prowell me nga 15 pikë secili, derisa te Kerasani sonte u veçua Rinor Ahmeti, i cili zhvilloi paraqitje fantastike me 32 pikë, 6 kërcime e 3 asistime.
Fitorja ndaj Kerasanit bën që Rahoveci të bëhet skuadra e parë që e siguron Final Four-in për sivjet, ndërsa 3 skuadrat tjera do të bëhen të ditura pas dueleve të mbetura që zhvillohen sonte dhe nesër.