TRAJNERI I LIDERES FLET PARA NDESHJES SË RADHËS
Ramadani: Nuk ka ndeshje të lehta
6 December, 2024 @20:51
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tashmë po mundohet të menaxhojë entuziazmin e skuadrës. Ai në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Dukagjinit që drejtohet nga Ismet Munishi ka thënë se nuk ka ndeshje të lehta në Superligë, ndërsa ekipi i tij që është lider i Superligës do të duhet të vrapojë e të luftojë shumë për të arritur pikët e plota në ndeshje.
“Nesër kemi përballë FC Dukagjinin, një skuadër mjaft cilësore me një trajner karizmatik në ligë. Një ndër skuadrat më të motivuara, gjithmonë kanë qenë të vështira ndeshjet përballë FC Dukagjinit, por mbështetemi te kualiteti jonë, ekipi jonë, te konkurrenca dhe eksperienca e ekipit tim dhe objektivi ynë sikur në çdo takimdo të jenë vetëm tre pikët. Duhet të vrapojmë më tepër se ata, duhet të ‘luftojmë’ më tepër për të arritur fitoren, sepse nuk ka ndeshje të lehta”, ka thënë fillimisht ai.
Trajneri Ramadani u pyet edhe për pozitën e parë dhe diferencën në pikë, për çka tha se ajo mund të shkrihet nëse nuk janë serioz në punë.
“E dimë që jemi me një ecuri mjaft pozitive, por duhet të kujdesemi mos të na kap ndonjë eufori, sepse atëherë do të ishte shumë e dëmshme. Ekipi është i vetëdijshëm që s’ka mbaruar akoma asgjë, diferenca mund të shkrihet shumë shpejt nëse nuk jemi ambicioz, serioz në çdo stërvitje, sepse çfarë do të ndodhte atëherë në ndeshje për ta mbajtur vendin e parë. Shpenzohet shumë mund, shumë energji për të dalë lider i tabelës, por për ta mbajtur lidershipin dhe vendin e parë gjithçka duhet të dyfishohet”, u përgjigji timonieri i gjilanasve.
Ramadani thekson se nuk ka eufori në ekip apo te asnjë futbollist dhe ajo që i duhet tani është qetësia dhe vetëbesimi.
“Duhet të jemi me mjaft vetëbesim se e kemi diferencën, por në ekip nuk ka komoditet apo eufori. Komoditeti në këto momente do të ishte shumë i dëmshëm. Qetësi po, vetëbesim po, kto janë armë shumë të forta. Këto rezultate pozitive duhet t’i shfrytëzojmë vetëm për të ngritur kualitet tona, për t’i ngritur vetëbesimin dhe asesi për të ngritur ndonjë komoditet. Qetësi po, komoditet asnjëherë!”, përfundoi trajneri, Zekirija Ramadani.
Drita pret Dukagjinin nesër me fillim prej orës 13:00 në stadiumin me bar sintetik të Gjilanit. Drita lidere ka 34 pikë aktualisht pas XV xhirosh, ndërsa Dukagjini 17 pikë, në pozitë të tetë.