BESA
Reagon Besa, kërkon kohë shtesë
11 September, 2014 @22:57
Vendimi i Bordit të FBK-së pas mbledhjes së sotme për mos përfshirjen e skuadrave të Besës dhe Dritës në garat e sivjetme, ka krijuar panikë në të dy skuadrat.
Si rrjedhojë, Bordi i skuadrës së Besës menjëherë është mbledhur për të diskutuar këtë çështje, ndërsa si përfundim është vendosur që të kërkohet 10 ditë kohë shtesë nga FBK-ja, për t’i përmbushur kriteret për licencim.
Klubi pejan në komunikatën e lëshuar për media ka sqaruar se është bërë çmos për t’i kryer obligimet ndaj FBK-së në afatin e caktuar, mirëpo në gjë e tillë nuk është realizuar për shkaqe të ndryshme.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të lëshuar nga Bordi i klubit të Besës:
“Bordi i KB BESA
Kërkon mirëkuptim nga FBK dhe kohë shtesë për plotësim të obligimeve.
Bordi i KB Besa mundësisht kërkon 10 ditë afat shtesë për kryerje të obligimeve.
Të nderuar basketbolldashës, në ndiejmë keqardhje për dashamirët e klubit tonë, sponzorët dhe të gjithë ata që e rrethojnë KB Besën për informacionin që e kanë marr pas publikimit të vendimit të bordit të FBK-së për mos licencim të klubit tonë në garat e sivjetme të elitës së basketbollit tonë.
Menjëherë pas publikimit të vendimit të sontëm të bordit të FBK-së në lidhje me mos licencimin e klubit tonë, bordi i klubit Besa është mbledhur menjëherë për të diskutuar rreth këtij vendimi.
Bordi i klubit tonë kërkon nga Federata e Basketbollit të Kosovës që klubit tonë t’i jepet një afat prej 10 ditësh për plotësimin dhe përmbushjen e obligimeve të Besës kundrejt Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Të nderuar udhëheqësi e FBK-së, është mëkat i madh që deri dje kur ka qenë koha për t’i përmbushur obligimet ndaj federatës, ne si klub kemi bërë të pamundurën që të rrëmbejmë mjetet që na takojnë nga DKRS-Pejë, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur pasi subvencionet dhe buxheti deri sa të ndahen kërkojnë kohë dhe janë të ndërlidhura në mes vete, andaj kërkojmë besim dhe mirëkuptim sepse klubi ynë është përgatitur maksimalisht për edicionin e ri duke rrethuar pranë vetes disa sponzorë dhe 13 anëtarë të rinjë të bordit të rifreskuar dhe klubi ynë Besa ka filluar përgatitjet para 32 ditëve, duke qenë kështu një ndër ekipet e para në Kosovë që ka filluar parapërgatitjet për ediconin e ri. Ne jemi shumë të interesuar që të luajmë në ETC Superligë, aty ku ishim dhe ku e ka vendin klubi ynë. Ne në përpikshmëri e respektojmë Federatën dhe të gjitha rregullat dhe aktet normative të saj, andaj shpresojmë dhe besojmë shumë se këta djem të cilët janë duke u përgatitur dhe janë e ardhmja e basketbollit të mos lihen në rrugë sepse kanë derdh djersë të madhe dhe meritojnë një rast tjetër. Ne ju garantojmë se do të bashkpunojmë thellë në të gjitha sferat. Ne jemi të gatshëm t’i shërbejmë basketbollit tonë dhe të kontribuojmë ende dhe pikërisht për këtë ne në mbledhjen e bordit të klubit tonë të gjithë njëzëri dhe të përkushtuar për 10 ditët e ardhshme që t’i kryjme obligimet ndaj jush dhe ju të keni besim dhe mirëkuptim ndaj klubit tonë. Ne ju garantojmë dhe ju premtojmë edhe njëherë që do t’i përmbushim të gjitha obligimet ndaj jush, madje po deklarohemi edhe njëherë se ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në gara dhe sivjet jemi dukshëm ekip më serioz dhe ekip shumë cilësor. Ne duam të besojmë se qëllimi ynë është vetëm masovizimi dhe zhvillimi i basketbollit.
Me respekt dhe nderim maksimal
Bordi i Klubit Basketbolli BESA, Pejë”.