DEKLARATA E PËRZGJEDHËSIT TË SHQIPËRISË

Foto: FSHF
Reja vlerëson lartë paraqitjen në pjesë të dytë
16 November, 2022 @23:55
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes Shqipëria - Italia ka thënë se ekipi i tij ka merituar pak më shumë nga kjo ndeshje, ndërsa ka vlerësuar lartë paraqitjen e ekipit të tij në pjesë të dytë të ndeshjes, kur edhe do të mund të kishin ndërruar kahjen e lojës.
“Në pjesën e parë pësuam shumë, në dy rivënie anësore u dhamë topin. Kishte distancë të madhe mes mbrojtjes dhe sulmit. Pjesa e dytë ishte më agresive, krijuam mundësi, dy herë qëlluam shtyllën, nëse edhe do të shënonim ndeshja do të mund të hapej dhe të bëhej edhe më e mirë,” ka thënë ndër të tjera selektori italian i kuqezinjëve.
Ai gjithashtu ka vlerësuar paraqitjen e futbollistit Xhuliano Skuka, që hyri në 3 minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa ka thënë se ai ka dhënë sinjale se mund të llogaritet për ndeshjet e radhës. Skuka 24-vjeçar luan për Partizanin, ndërsa është dibran.
Reja u pyet se si po e mendon ndeshjen ndaj Armenisë, derisa ka thënë se duhet të sheh gjendjen e lojtarëve pastaj të vendos, pasi që ka pasur probleme mbrapa e përpara në formacion. Shqipëria pret Armeninë në miqësoren e tretë të nëntorit pas tri ditësh në Tiranë. Dy miqësoret e para të nëntorit kuqezinjtë i pësuan. Para Italisë, Shqipëria u mposht nga Katari.