Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

S. PRISHTINA

Rikthehet Kuraja

BOROZANI/ Arkiv

Rikthehet Kuraja


27 February, 2013 @13:44

Ndoshta 10 minuta e 44 sekonda në parket për shumë lojtarë me përvojë janë pak, mirëpo për Edis Kurajën, këto minuta do të mbahen në mend gjatë. 

Ai i është kthyer basketbollit fundjavën e kaluar në ndeshje ndaj Kosovës së Vushtrrisë, të cilën ekipi i tij Sigal Prishtina e mposhti bindshëm 112-44, në kuadër të xhiros së parë të pjesës së dytë të stinorit të BKT Superligës.

“Po, jam kthyer nga lëndimi edhe pse nuk jam i përgatitur 100%. Më duhet ende kohë për të marrë veten, mirëpo gjërat po ecin kah e mira dhe shpresoj që të kthehem në 100%-shin tim shumë shpejtë,” ka thënë Edisi 30 vjeçar, në një prononcim ekskluziv për Borozanin. 

Kuraja për herë të fundit në palestra është parë në fanellë të Kolegjit Univers, ndërsa ndeshja e fundit e tij e zhvilluar ka qenë më 11 maj të vitit të kaluar kur skuadra e tij u mposht nga Bashkimi në çerekfinale të play-offit 2-1 me ndeshje. 

Basketbollisti 201 centimetra i gjatë, ka kaluar një operim mjaft të vështirë, por me sukses. Ai është operuar në Ljubljanë të Sllovenisë më 1 tetor të vitit të kaluar dhe gati 4 javë më parë i është kthyer stërvitjeve me klubin e tij të ri, Sigal Prishtina. Lëndimi i kaluar nga Kuraja ka qenë më i rëndi në karrierën e tij si basketbollist. Kuraja ka shënuar 2 pikë, ka regjistruar 2 kërcime, 2 asistime dhe 2 topa të vjedhura në ndeshjen e tij të parë pas rikthimit. 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga