Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

E TRETA E VËRTETA

Rikthimi i tretë i Ahmet Kandemirit në Prishtinë

Ahmet Kandemir, duke drejtuar Prishtinën për herë të parë/ Foto: TOPSPORTI/ Erdis Driza

Rikthimi i tretë i Ahmet Kandemirit në Prishtinë


6 January, 2023 @15:33

Për herë të tretë Ahmet Kandemir është zyrtarizuar si trajner i Prishtinës. Bardhekaltërit sot kanë bërë të ditur se kanë ndarë rrugët me Murat Bilgen, ndërsa në vend të tij vjen njeriu që është i njohur në basketbollin kosovar, Ahmet Kandemir. Në fakt largimi i Murat Bilges u bë pa shumë bujë, që mbeti në krye të Prishtinës, pas largimit të Ekrem Memnunit që kishte ardhur si trajner i parë aty, ndërsa Bilge ishte ndihmës. Bilge së fundi, nuk dilte as në deklarime pas ndeshjes, duke e lënë ndihmësin e tij Andin Rashica të deklarohej para kamerave!

Kjo do të jetë hera e tretë për Kandemirin që do të drejtojë ekipin e kryeqytetit, ndërsa me bardhekaltërit ai ka të fituar Kupën e Kosovës në vitin 2013 kur Final Four ishte mbajtur në Prizren, ku kishte mposhtur Pejën e fortë në finalen e ngushtë. Por, ndoshta për titullin kampion - kjo mund të jetë e treta e vërteta për turkun që ka ardhur më së shpeshti në Prishtinë.

Trajneri 52-vjeçar ka karrierë të bujshme në Turqi dhe njihet si ndër trajnerët e mirë atje, kurse tash do të merr timonin e Prishtinës pas periudhave në vitin 2013 dhe 2017 për të kërkuar trofeun e radhës me rekord-kampionen e Kosovës.

“Trajneri i mirënjohur turk Ahmet Kandemir rikthehet në kryeqytet, tani me ambicie të reja dhe energji të freskëta. Nën drejtimin e tij kemi fituar njërin nga trofetë më të rëndësishëm në historinë e klubit, Kupën e Kosovës në Prizren në vitin 2013. Kandemir ka drejtuar klubet e njohura turke: Beşiktaş JK, Pınar Karşıyaka, Mersin BB, Antalya BB,” ka bërë të ditur KB Prishtina në njoftimin e saj sot.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga