SERIA VAZHDON
Vëllaznimi me formën më të mirë në Superligë, rreshton të gjashtën
26 November, 2023 @18:52
Fitore në Prizren, ndërsa Vëllaznimi është ekipi me formën më të mirë aktualisht në Superligë, derisa ka mopshtur edhe Prizrenin sonte për të siguruar fitoren e gjashtë me radhë në elitën e basketbollit dhe për të vazhduar ngritjen.
Sonte, fitorja nuk ka qenë aspak e lehtë për ekipin gjakovar, por ata menaxhuan më mirë disa momente ndaj kundërshtarit për të siguruar fitoren e ngushtë 93-97. Vetëm çereku i parë ka pasur dallim 23-29 në të mirë të kuqezinjëve, ndërsa të tjerat kanë shkuar me maksimalisht 4 pikë dallim, për të shkuar ndeshja jashtëzakonisht luftarake deri në fund.
Sam Sessoms me 33 pikë, 10 asistime e 6 kërcime ka qenë kryesori në fitoren e sontme të Vëllaznimit të drejtuar nga Josip Plantak, ndërsa me 16 pikë ka kontribuuar Jalen Ray, e 14 të tjera i dha Jordan Dallas.
Te Prizreni i drejtuar nga turku Tuncay Bostanci nuk kanë mjaftuar 32 pikët e Ty Cockfieldit. Ai bëri edhe 6 asistime e 3 kërcime në këtë ndeshje. Urim Zenelaj luajti me double-double prej 15 pikëve dhe 15 kërcimeve, ndërsa Musab Mala dha 15 pikë tjera në këtë duel.
Fitorja e gjashtë radhazi bën që Vëllaznimi të ketë tash bilanc 6-4, ndërsa Prizreni është me 2-7.