VALDET GRAPCI
Rikthimi në moshën 44 vjeçare, për fitore
8 March, 2018 @23:11
Qendra legjendare e Pejës, vendosi që t’i kthehet basketbollit për t’i ndihmuar ekipit të tij në fitore.
Valdet Grapci, në moshën 44 vjeçare, ka veshur sonte fanellën me numër 16 me ngjyra verdhezi për të qenë afro 21 minuta në parket dhe për ta kthyer ekipin te fitorja, pas serisë më të dobët në histori të klubit - afro 4 muaj pa fitore.
Grapci shënoi 7 pikë, realizoi 9 kërcime dhe regjistroi 4 asistime në përballjen që Peja e fitoi ndaj Kerasan Prishtinës sonte, për t’i ngjallë shpresat e ekipit - në krizë të rëndë financiare - për mbijetesë.
Peja me fitoren e sontme ndaj Kerasan Prishtinës ka regjistruar triumfin e gjashtë të stinorit krahas 15 humbjeve që i ka dhe ka dalë nga zona e rrezikshme e Superligës për momentin.
Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar, që do të thotë se Peja do të ndeshet edhe njëherë me secilin ekip në Superligë - në ndeshjet që do të përcaktojnë fatin e treshes që po lufton për mbijetesë, ku përveç ish-kampionit bëjnë pjesë edhe debutuesja në Superligë, Borea dhe ekipi nga kryeqyteti, Kerasan Prishtina.