TRAJNERI I TROFESHËM
Arben Krasniqi kthehet në Superligë
8 March, 2018 @10:24
Ish-trajneri i Sigal Prishtinës dhe i reprezentacionit të Kosovës, Arben Krasniqi, është në bisedime të avancuara me Yllin e Suharekës dhe shpejt pritet të zyrtarizohet si trajner i ri i ekipit.
Ylli pritet të kthehet fuqishëm në fazën përfundimtare të stinorit dhe po synon hiq më pak se finalen, ndërsa me trajnerin më të trofeshëm në Kosovës, Krasniqin, suharekasit presin edhe përforcimet e radhës për të arritur majen e basketbollit kosovar.
Përveç tjerash Koha ditore ka bërë të ditur sot se në ekip do të kthehet edhe Arif Mehmetaj, që u largua gjatë afatit kalimtar dimëror për shkak të disa mosmarrëveshjeve si dhe do të vinë edhe përforcime tjera.
Përndryshe, Ylli është duke përjetuar aktualisht stinorin më të mirë në Superligë në histori të klubit!
Ekipi është në rrugë të mirë për të siguruar Play-Offin e Superligës dhe tashmë kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro te përfundimi i stinorit suharekasit nuk dëshirojnë të bëjnë gabim në hapa, pasi që në rrugë për Play-Off përveç Sigal Prishtinës së pamposhtur dhe Bashkimit që ka bilanc të dytë më të mirë, luftojnë edhe Rahoveci e Trepça - që llogariten si konkurrent kryesorë të skuadrës së xhebrailave.