PEJA
Samiri e Shima mund të largohen nga Peja?!
28 March, 2014 @12:25
Peja mund të mbetet pa dy nga basketbollistët më të rëndësishëm të saj. Fjala është për Samir Shaptahovicin dhe Gerti Shimën, të cilët po e shqyrtojnë mundësinë e largimit nga kampionja aktuale e Kosovës, pas dështimit për t’u kualifikuar në Play Off të Ligës Ballkanike.
Lajmin e ka bërë të ditur e shtojca sportive e Tribunës, Arena, ku është thënë se e vetmja gjë e sigurtë është se dyshja Shaptahovic-Shima së paku edhe në ndeshjet e IPKO Kupës që luhen këtë fundjavë, do të jenë bashkë me ekipin verdhezi.
Ndërsa arsyeja kryesare e largimit të tyre. sipas Arenës thuhet se është gjendja jo e mirë financiare në klub, si dhe interesimi i madh i skuadrave të Balkan Ligës, si Levski dhe Teodo.
Gerti Shima dhe Samir Shaptahovic, së bashku me Rron Grapcin, të enjtën kanë pasur një takim me kryetarin e klubit të Pejës, Art Gashin, për të diskutuar rreth gjendjes së skuadrës dhe të ardhmes së tyre. Ndërsa ky i fundit tha se nuk beson që do të ketë ndonjë largim të tillë nga skuadra.
E sigurtë është largimi i së paku një të huaji nga Peja, pasi që me ardhjen e përforcimit të ri Carl Jones, numri i të huajve është rritur në pesë, ndërsa e pasigurtë mund të jetë edhe e ardhmja e Drilon Hajrizit.
Peja dje e kishte emërtuar Bujar Locin si trajner i ri të skuadrës, derisa ai do të ndihmohej nga basketbollisti me përvojë, Fred House.