SUPERLIGA
Si luajti Prishtina me pesë të huaj?
10 October, 2015 @21:01
Paraqitja e Sigal Prishtinës me pesë basketbollistë të huaj në ndeshjen e xhiros së tretë të Superligës kundër Vëllaznimit, ka krijuar habi tek shikuesit, shumica e të cilëve ishin të painformuar me Propozicionin e Garave të FBK-së për edicionin 2015/16.
Kjo pasi që deri në stinorin e kaluar ekipet nga Superliga kanë pasur të drejtë të paraqiten me më së shumti katër lojtarë të huaj në ndeshje.
Mirëpo, rregullat e njëjta nuk do të vlejnë edhe për sivjet.
Sipas nenit 11.7.1 të Propozicionit të Garave, ekipet e Superligës së meshkujve kanë të drejtë që në fletëparaqitjen e ndeshjes, të paraqesin deri në pesë lojtarë të huaj, prej të cilëve tre kanë të drejtë të jenë në lojë në të njëjtën kohë, ndërsa në rast të inkuadrimit të lojtarit të katërt në lojë në të njëjtën kohë, trajneri ndëshkohet me gabim teknik.
Përveç kësaj, neni 11.7.5 i kësaj rregulloreje thotë që ekipet kanë të drejtë të regjistrojnë deri në gjashtë lojtarë të huaj njëkohësisht dhe 5 prej tyre t’i mbajë në listën e lojtarëve (roster).