SUPERLIGA
Peja e Prishtina, presin fitore të lehta
10 October, 2015 @13:07
Xhiroja e tretë e Superligës në basketboll do të fillojë me dy ndeshje që do të zhvillohen sot.
Fituesja e Superkupës, Peja, e cila e dëshmoi formën e mirë edhe me fitoren e fundit ndaj Bashkimit në Prizren, do të përballet në palestrën Karagaçi me debutuesit në Superligë, Kerasan Prishtinën.
Verdhezinjtë presin fitore pa u djerësitur shumë, pasi që përballë kanë një kundërshtar me përbërje krejtësisht vendore dhe të ri në moshë.
Ndeshja tjetër e ditës zhvillohet në palestrën Shani Nushi të Gjakovës, ku skuadra e Vëllaznimit do ta pret kampionen aktuale, Sigal Prishtinën.
Gjakovarët, të motivuar pas fitores së fundit kundër Kerasan Prishtinën, synojnë që së paku të tregojnë lojë të mirë përballë bardhekaltërve nga kryeqyteti, pasi që dallimi në cilësi ndërmjet këtyre dy skuadrave është tejet i madh.
Vëllaznimi në këtë ndeshje do ta ketë ndihmën edhe të amerikanit të vetëm në skuadër, Michel Lews, i cili debutoi në ndeshjen kundër Kerasan Prishtinës duke shënuar 7 pikë e 8 asistime.
Ndeshja e fundit dhe më interesantja e kësaj jave do të zhvillohet nesër, ku do të përballen dy skuadra kandidate për Play Off, Trepça dhe Golden Eagle Ylli.
Ekipi suharekas është pa fitore deri më tani, pasi që në ndeshjen e parë ishte mposhtur nga Bashkimi në shtëpi, dhe kjo ndeshje do të jetë një rast i mirë për ta shijuar fitoren e parë. Mirëpo kjo nuk do të jetë aspak e lehtë përballë Trepçës së trajnerit Neven Plantak, pasi që minatorët kanë treguar lojë të mira në dy përballjet e para.
Ekipi i vetëm që nuk do të luajë këtë xhiro është Bashkimi, i cili do të pushojë për shkak të tërheqjes së Kastriotit nga garat.
Ndeshjet e xhiros III
E shtune, ora 17:00 | Peja - Kerasan Prishtina | ||
E shtune, ora 18:00 | Vëllaznimi - Sigal Prishtina | ||
E diel, ora 14:00 | Trepça - Golden Eagle Ylli |