DALI
Berisha mund t’i kthehet Prishtinës
9 October, 2015 @16:19
Aventura e Dardan Berishës te skuadre e tij e re nga Kroacia, Cibona, mund të jetë e shkurtër.
Problemet financiare që ka kjo skuadër, mund ta detyrojë basketbollistin kosovar që ta shkëpus kontratën, e cila ishte e nënshkruar për tre vjet.
Ndërsa largimin e tij të mundshëm e ka konfirmuar edhe vetë basketbollisti.
“Ende nuk ka asgjë konkrete, por mund të largohem. Ka dy muaj që jam duke pritur. Nëse brenda këtyre ditëve nuk ndërron diçka, atëherë jam i detyruar të largohem,” ka thënë Berisha, shkruan gazeta Koha Ditore në numrin e sotëm.
Mundësia e largimit të Berishës nga Cibona, ka ngjallur interesimin e drejtuesve të Sigal Prishtinës, të cilët menjëherë i kanë përvjelur mëngët për të punuar në drejtim të rikthimit të tij në skuadër.
Për mundësinë e rikthimit të Berishës te Sigal Prishtina, ka folur drejtori i klubit bardhekaltër, Florian Miftari, i cili shprehu gatishmërinë për t’i filluar bisedimet zyrtare me lojtarin, në rast se ky i fundit e shkëput kontratën me skuadrën e Cibonës.
“Do të ishte shumë e dobishme për klubin tonë nëse Berisha kthehet dhe dëshiron të na ndihmojë të shkruajmë edhe më tej historinë, pasi këtë edicion marrim pjesë edhe në FIBA Europe Cup. Berisha gjithmonë është i mirëseardhur në klubin tonë dhe këtë e di shumë mirë. Ai është një lojtar që i nevojitet klubit. Ai kur është larguar nga Kosova ka thënë se nëse kthehet, atëherë klubi i vetëm për të do të jetë Sigal Prishtina për shkak se jemi i vetmi klub që mund t’ia plotësojmë kërkesat dhe po ashtu gjithmonë synojmë të gjithë trofetë e mundshme,” tha Miftari për Kohën Ditore.
Sigal Prishtina vitin e kaluar me udhëheqjen e Dardan Berishës kishte arritur të shpallej kampione e Superligës dhe e Ligës Ballkanike, duke u bërë kështu skuadra e parë nga Kosova që ka fituar një titull në një garë ndërkombëtare.